Boksieri britanik Tony Bellew, pak orë pas humbjes me “KO” në raundin e 8 ndaj Oleksandr Usyk, në duelin e vlefshëm për titujt kampionë bote të peshës “cruiserweight”, ka deklaruar se do të tërhiqet nga sporti. Në moshën 35-vjeçare, me 30 fitore, 3 humbje e 1 duel pa rezultat, Bellew ka konfirmuar para fansave të tij në Manchester, ku zhvilloi duelin e djeshëm, se për të ka ardhur fundi. “Ky sport ka ndryshuar shumë, ndaj për mua ky është fundi”, tha Bellew.
“Bëra maksimumin në ring ndaj Usyk, por ai mbetet një boksier i jashtëzakonshëm, që meriton gjithçka, të gjithë titujt në botë. Është një boksier elite. Unë jam një boksier klasi, por diferencat mes nesh ishin të mëdha ndaj dhe ai e meritoi fitoren. Kushdo që do të përballet me të do të ketë probleme në ring. Vetëm më i miri dhe një gjigant mund të gjejë një mënyrë për ta mundur. Unë po tërhiqem me kokën lart”, tha Bellew.
I pakënaqur nga rezultati në ring dhe deklarata për tërheqje nga sporti ka mbetur menaxheri i tij Eddie Hearn. Ai shpreson që të mbajë ende aktiv boksierin 35-vjeçar Bellew, ish-kampion bote, duke i ofruar edhe një duel të fundit me Andre Ward verën e ardhshme. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen nëse Bellee ka varur përfundimisht dorezat apo do të rikthehet në ring për një duel të fundit dhe mbyllur karrierën me fitore.