Tensione të mëdha/ Pas arritjes së Nancy Pelosit në Tajvan, Kina merr këtë vendim ushtarak

Bota

Tensione të mëdha/ Pas arritjes së Nancy Pelosit në Tajvan, Kina merr këtë vendim ushtarak

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 17:19 Përditësuar në ora: 20:58 më 02.08.2022
Nancy Pelosi

Kina paralajmëron “operacione të shënjestruara ushtarake” për shkak të vizitës së Pelosit

Ushtria kineze është vënë në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione të shënjestruara ushtarake” në përgjigje të vizitës në Tajvan së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, tha mbrëmjen e 2 gushtit Ministria kineze e Mbrojtjes.

Në një njoftim të ndarë, Komanda Lindore e Ushtrisë Popullore të Kinës, tha se do të mbajë operacione të përbashkëta ushtarake afër Tajvanit të martën mbrëma.

Stërvitjet ushtarake do të përfshijnë stërvitje ajrore dhe detare në veri, juglindje dhe juglindje të Tajvanit.

Ministria kineze e Mbrojtjes nuk dha detaje se çfarë do të përfshijnë operacionet e shënjestruara ushtarake, ose nëse ishin të ndara nga stërvitjet e paralajmëruara nga Komanda Lindore.

Më herët, agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, raportoi se ushtria kineze do të mbajë stërvitje pesëditore përreth Tajvanit nga 4 deri më 7 gusht.

Pelosi me të mbërritur në Tajvan tha se solidariteti i SHBA-së me popullin tajvanez është më i rëndësishëm se kurrë më parë.

Vizita e saj ka rritur tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit, teksa Kina ka thënë se vizita e Pelosit “cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

Po ashtu, më 2 gusht, autoritetet e mbrojtjes në Tajvan, njoftuan se 21 avionë luftarakë kinezë kanë fluturuar mbi Tajvan./REL

Vizita e Pelosit/ Luftëtarët kinezë ‘kalojnë ngushticat e Tajvanit’

“Aeroplanët luftarakë kinezë Su-35” po “kalojnë ngushticën e Tajvanit”, e cila ndan Kinën kontinentale nga ishulli i pretenduar nga Pekini, njoftoi pak kohë më parë televizioni shtetëror kinez CGTN.

Ky njoftim vjen pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, zbarkoi në Taipei.

Një iniciativë e tillë shihet si një provokim serioz nga Kina që mund të përkeqësojë tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit.

Pelosi deklarohet nga Tajvani: Bota përballet me zgjedhje mes autokracisë dhe demokracisë

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, mbërriti në Tajvan të martën vonë, një vizitë që zhvillohet mes paralajmërimeve të Kinës se kjo do të minonte marrëdhëniet dypalëshe dhe se Pekini nuk do të qëndrojë duarkryq.

Zonja Pelosi tha në një deklaratë pak pas mbërritjes në Taipei se vizita e delegacionit të Kongresit nderon angazhimin e palëkundur amerikan në mbështetje të demokracisë në Tajvan.

“Solidariteti amerikan me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë, kur bota po përballet me një zgjedhje mes autokracisë dhe demokracisë”, shtoi zonja Pelosi.

Vizita e zonjës Pelosi në kryeqytetin tajvanez, Taipei, është në kuadër të një turneu të saj në Azi.

Pekini që pretendon se Tajvani i vetëqeverisur është provincë e Kinës, tha se vizita e zonjës Pelosi do të “ishte një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme kineze” ndërsa paralajmëroi se “Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës nuk do të rrijë duarkryq”.

Në një paralajmërim të fundit, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha sot se politikanët amerikanë që “luajnë me zjarrin” për çështjen e Tavjanit “nuk do të kenë fund të mirë”.

Reagime pati edhe nga Moska. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha sot se Rusia e sheh vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan si një provokm që synon të ushtrojë trysni mbi Pekinin.

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se nuk tremben nga kërcënimet ushtarake kineze. Shtëpia e Bardhë dënoi dje retorikën e Pekinit, duke thënë se SHBA nuk ka interes të thellojë tensionet me Kinën.

Katër luftanije amerikane, duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u vendosën në ujërat në lindje të Tajvanit, në ato që marina amerikane i quajti dislokime rutinë.

Ndërkohë avionët luftarakë kinezë lëvizën në vijën që ndan ngushticën e Tajvanit të martën, pak përpara mbërritjes në Taipei të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

Kërcënimet ushtarake të Kinës shkaktuan rritje të shqetësimeve për një krizë të re në ngushticën me 140 kilometra gjerësi të Tajvanit, që ndan dy palët dhe që mund të godiste tregjet globale dhe zinxhirët e furnizimit.

Shumica e takimeve të planifikuara të zonjës Pelosi, përfshirë takimin e saj me Presidentin Tsai Ing-wen, janë caktuar për të mërkurën, tha një person i afërt me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve.

Katër burime thanë se ajo ka planifikuar që nesër pasdite të takohet me një grup aktivistësh të cilët flasin hapur për çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Ministria e Jashtme e Tajvanit nuk komentoi planet për vizitën e zonjës Pelosi, ndërsa zyra e saj gjithashtu ka qëndruar në heshtje deri tani.

Tajvani dhe Kina u ndanë më 1949 pas fitores së komunistëve në një luftë civile. SHBA ruan marrëdhënie jozyrtare dhe lidhje në fushën e mbrojtjes me Tajvanin edhe pse e njeh Pekinin si qeveri të Kinës./VOA

Pamje/ Alarm! Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan

Nancy Pelosi mbërriti në Tajvan pavarësisht kërcënimeve nga Kina.

Pak pas orës 22:45 (me orën lokale) avioni SPAR19 që mbante kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA mbërriti në aeroportin Songshan të Taipeit, i cili është gjithashtu shtëpia e një baze ushtarake.

Politikania amerikane është zyrtarja më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin, të cilin Kina e konsideron një provincë të shkëputur, në 25 vitet e fundit.

Kina i sheh vizitat e zyrtarëve amerikanë në Tajvan si një sinjal inkurajues për kampin pro-pavarësisë në ishull. Uashingtoni nuk ka lidhje diplomatike me Tajvanin, por është i detyruar nga ligji i SHBA-së t'i sigurojë ishullit mjetet për t'u mbrojtur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat