BE ndan gati 500 milionë euro për të rritur prodhimin e municioneve

Bota

BE ndan gati 500 milionë euro për të rritur prodhimin e municioneve

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 11:06
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian tha sot se vendet anëtare të bllokut evropian kanë arritur marrëveshje për të shpenzuar 496 milionë euro për të rritur prodhimin e municioneve për Ukrainën dhe për të rimbushur rezervat me municione, të vendeve anëtare.

Akti për Mbështetjen e Prodhimit të Municioneve (ASAP) do të përqendrohet kryesisht në prodhimin e predhave dhe raketave të artilerisë.

Vendimi vjen ndërsa Ukraina po e vazhdon kundërofensivën ndaj trupave ruse. Forcat ukrainase kanë avancuar me më shumë se një kilometër pranë qytetit lindor të Bakhmutit, tha zëdhënësi ushtarak Serhiy Cherevatyi për televizionin ukrainas të premten.

“Forcat e mbrojtjes vazhdojnë të përparojnë atje, duke ushtruar presion mbi armikun, duke kryer operacione sulmi, e duke përparuar në krahun verior dhe jugor”, tha ai.

Ndërkohë administrata e Presidentit Biden po shqyrton mundësinë e dërgimit të bombave thërrmuese në Ukrainë për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Rusisë, thanë zyrtarët amerikanë, një veprim që ka të ngjarë të zemërojë grupet e të drejtave të njeriut

Këto lloj armatimesh qëllohen nga një top dhe ato lëshojnë me dhjetëra ‘bomba më të vogla’ në një zonë të gjerë. Ato vazhdojnë të shkaktojnë dëm edhe pasi të kenë përfunduar luftimet. Bombat thërrmuese janë të ndaluara nga 123 vende për shkak të rrezikut që paraqesin për civilët, por Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia nuk i kanë ndaluar ato.

Bombat thërrmuese pritet të jenë pjesë e një pakete të re ndihme të SHBA-së për Ukrainën që do të njoftohet të premten, raporton zeriamerikes

Dërgimi i bombave thërrmuese në Ukrainë “është një vendim që po shqyrtohet”, tha të enjten zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder.

Ukraina dhe Rusia po përdorin municionet e tyre thërrmuese në fushën e betejës. Por Kievi i ka kërkuar Uashingtonit të dërgojë bomba thërrmuese, pasi forcave ukrainase po iu mbarojnë municionet. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë rezistuar në ofrimin e tyre, për shkak të rrezikut që ato paraqesin për civilët.

Por tashmë sipas njoftimeve zyrtarët amerikanë besojnë se bombat thërrmuese do të ishin të dobishme në luftën kundër Rusisë. Laura Cooper, zëvendës ndihmës sekretare e Mbrojtjes, gjatë një séance në Kongres të mbajtur së fundmi tha se këto municione do të ndihmonin Kievin të përparonte në terren.

Vendimi mbi këtë çështje mund të shpallet të premten, sipas radios publike amerikane NPR.

Ndërkohë në Ukrainë vazhdojnë luftimet e ashpra. Të enjten, një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur nëntë të tjerë.

Kryetari i bashkisë së Lviv Andriy Sadovyi tha se raketa dëmtoi gjithashtu rreth 60 apartamente dhe 50 makina. Zoti Sadovyi e cilësoi këtë si sulmin më të madh kundër infrastrukturës civile të qytetit, që nga fillimi i agresionit rus vitin e kaluar.

“Do të ketë patjetër një përgjigje ndaj armikut. Një përgjigje të qartë”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetin social ‘Telegram’.

Lvivi është afër kufirit të Ukrainës me Poloninë, larg zonave të vijës së frontit në Ukrainën lindore dhe jugore që kanë qenë në qendër të luftimeve të ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat