Shqiptarët që fituan medalje në Kampionatin Botëror - Bota Sot
Shqiptarët që fituan medalje në Kampionatin Botëror

Botërori 2018

Shqiptarët që fituan medalje në Kampionatin Botëror

Nga: Kemajl Goca Më: 15 korrik 2018 Në ora: 16:05
Kozniku, Januzaj e Mustafi

Para 20 viteve përkatësisht në vitin 1998, Ardian Kozniku, futet në histori si shqiptari i parë që u stolis me medalje në Kampionatin Botëror në futboll, që ishte mbajtur në Francë. Kozniku kishte përfaqësuar kombëtaren e Kroacisë, me gjeneratën e artë të asaj periudhe, si Davor Shuker, Zvonimir Boban, Robert Prosineçki, Aljosha Asanoviç, Robert Jarni, Drazhen Ladiç, Igor Shtimac, Sllaven Biliç etj. me përzgjedhësin Miroslav Qira Bllazheviq, ish trajnerin e Prishtinës në vitet e 80-ta, bënë historinë në Francë. Kroacia u stolis me medaljen e bronztë, pasi që e mundi me rezultat 2:1 Holandën. Ndeshja ishte zhvilluar në stadiumin “Parc des Princes” në Paris, ku ishin të pranishëm 45.500 shikues.

Për kroatët realizuan Prosineçki (13') e Shuker (35') dhe për Holandën: Zenden (21’). Kozniku me shokë festuan medaljen e bronztë dhe historike për shtetin kroat. Shqiptari i dytë me medalje dhe i artë është mbrojtësi Shkodran Mustafi, aktualisht paraqitet për Arsenalin. Mustafi me kombëtaren e Gjermanisë fituan titullin e kampionit të botës në vitin 2014, pasi që në finale e mundën me rezultat minimal 1:0 Argjentinën.

Gjermanët triumfuan pas 120 minutave dhe me golin e Gotze në minutën e 113-të, në ndeshjen që u luajt në “Maracana” në Rio de Janeiro, ku ishin të pranishëm 74.738. Mustafi futet në histori si shqiptari i parë me titullin e kampionit të botës në fanellën e Gjermanisë. Adnan Januzaj, një sulmues i jashtëzakonshëm, është shqiptari i tretë që u stolis me medalje në Kampionatin Botëror. Ai të shtunën që e lamë pas me Belgjikën me rezultat 2:0 e mundën Anglinë.  Ndeshja u luajt në St. Petersburg, të pranishëm 64406 shikues. Shënues Meunier (4') e Hazard (82').

Belgjika zuri vendin e tretë përkatësisht u stolis me medalje të bronztë, ndërsa Januzaj nuk luajti asnjë minutë të vetme. Në fakt, Januzaj ka pasur 86 minuta gjatë këtij Botërorit, që u paraqit në takimin e xhiros së tretë të grupit G, në fitoren me rezultat 1:0 ndaj Anglisë. Adnan Januzaj kishte shënuar në minutën e 51-të dhe u fut në listën e shënuesve në edicionin më të rëndësishëm. Januzaj me shokë fituan medaljen e bronztë, një sukses i madh.

Januzaj ishte në mesin e yjeve të Belgjikës, si Hazard, Lukaku, Mertens, Dembele, De Bruyne, Fellaini etj. Mustafi është i artë në vitin 2014, kurse Kozniku i bronztë në vitin 1998 dhe Januzaj i bronztë në vitin 2018. Brenda 20 viteve tre shqiptarë me medalje në Kampionatin Botëror.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...