Ish-çiklisti që fundosi mbretin Armstrong bëhet milioner falë kanabisit

Çiklizëm

Ish-çiklisti që fundosi mbretin Armstrong bëhet milioner falë kanabisit

Më: 27 mars 2019 Në ora: 20:04
Ish-çiklisti Floyd Landis

Në vitin 2006, Floyd Landis fitoi Turin e Francës në çiklizëm, titull që e humbi 3 ditë më vonë, pasi rezultoi pozitiv me testosterone dhe u skualifikua. Nga ky moment nisën vështirësitë për çiklistin amerikan, i cili kaloi në depresion. Megjithatë, pas shumë peripecish, në vitin 2010 nuk duroi dot më dhe tregoi gjithë të vërtetën për Lance Armstrong dhe përdorimin masiv të dopingut në çiklizëm.

“U mërzita nga ajo situatë, pasi dëgjoja shumë gënjeshtra, kështu që tregova të vërtetën dhe nisa një jetë të re si sipërmarrës”, thotë Llandis. Në vitin 2016, bashkë me një ish-kolegun e tij, David Zabriskie, hapi në Kolorado një fermë për kultivimin e kanabisit. “Ndihesha më mirë kur përdorja kanabis”, kujton ish-çiklisti amerikan.

Projekti funksionoi më së miri dhe Landis arkëtoi miliona dollarë nga ky biznes. Ndërkohë, ai fitoi edhe 1.1 milionë dollarë nga procesi kundër Armstrong (plus shpenzimet gjyqësore, 1.65 milionë). Jo pak, pasi me këto parà ai vendosi të krijojë një skuadër çiklizmi, që e quajti “Floyd’s Leadville”. Natyrisht që ferma e tij e kanabisit është edhe sponsori kryesor i këtij ekipi.

“E dua sportin e çiklizmit dhe dua t’i rikthej pas gjithçka kam marrë prej tij përmes krijimit të kësaj skuadre. Nuk kam frikë, madje kam marrë mbështetje për këtë nismë. Janë të shumtë ata që kërkojnë të jenë pjesë e skuadrës time edhe pse për momentin nuk kemi objektiva të mëdhenj”, u shpreh Landis.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat