Çiklisti shqiptar, sensacion në Spanjë

Çiklizëm

Çiklisti shqiptar, sensacion në Spanjë

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 16:34
Xhuliano Kamberaj

Xhuliano Kamberaj është një çiklist i talentuar shqiptar. Është 23 vjeç dhe 2018-n e ka nisur me sukses. Në garën e parë për këtë vit, e zhvilluar në Almagro të Spanjës, Xhuliano zë vendin e parë me ekipin Polartec Kometa U-23. Kamberaj është pikërisht pjesë e të rinjve të ekipit ku bën pjesë dhe Alberto Contador apo Ivan Basso. Në një prononcim të shkurtër për Telesport, talenti shqiptar i çiklizmit tregon rreth disa detajeve rreth garës që u zhvillua dy ditë më parë në Spanjë, ku ai u ngjit në krye të podiumit.

“Ishte një garë ndërkombëtare në Almagro (Spanjë). Gjatësia ishte 145 km. Pas 50 km ishte malorja e parë me distancë 8 km.  Unë duhej të mbrohesha mirë dhe të humbja sa më pak kohë që të mundesha. Ishte një garë shumë nervoze për tipin e saj sepse ishte gjithmonë malore ose zbritje. Kjo ishte gara e parë për këtë vit dhe kishim si objektiv të ishim sa më kompetitiv. Kur ke shokë në skuadër që punojnë për ty dhe të ndihmojë çdo gjë është më e lehtë. Për në fazën finale në sprint është momenti më i lehtë për mua sepse është gjëja që di të bëj më mirë”-thotë ndër të tjera Xhuliano Kamberaj.

Image

Më tej talenti që është pjesë e ekipit Kombëtar të Shqipërisë, tregon edhe disa nga synimet dhe objektivat për vitin 2018. Xhuliano Kamberaj thotë se me ekipin kombëtar synon të arrijë një vend në podium në Kampionatin e Europian, ndërsa fokus mbetet Olimpiada e Tokios. Sipas tij për këtë duhet të grumbullohen sa më shumë pikë dhe të zhvillohen sa më shumë gara. Por të gjitha këto kërkojnë mbështetjen financiare të shtetit shqiptar.

“Objektivi im është “Kupa e Spanjës” që përfundon në fund të muajit prill. Janë gati 10 gara të cilat nisin prej të dielës së ardhshme. Pesë gara janë me sprint dhe për mua këto janë në favor. Me kombëtaren objektiv është Kampionati Europian. Këtë vit synojmë të arrijmë vendet e para dhe gjithçka është e mundur. Edhe një vit më parë ishte e mundur por për shkak të një problemi të vogël nuk ia dolëm. Gjithashtu unë jam në komunikim me Presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit z.Skënder Anxhaku, dhe synojmë të kualifikohemi për në Olimpiadën e Tokios. Për këtë duhen pikë, të cilat grumbullohen duke zhvilluar gara. Por garat kërkojnë mbështetjen e shtetit dhe kështu ne do të kishim shumë mundësi. Por në Shqipëri ka ende probleme, nuk ekzison mentaliteti i duhur”- thotë Xhuliano Kamberaj.

Ai tregon gjithashtu se në dy vitet e ardhshme synon të bëhet pjesë e ekipit të parë të Polartec Kometa, ku do të garojë krah Alberto Contadorit. Xhuliano ka disa objektiva të mëdha në karrierën e tij personale dhe ato më të afërtat janë Xhiro e Italisë dhe Turi i Francës. Kamberaj është një ndër talentet e çiklizmit shqiptar, që stërvitet në Itali dhe garon për ekipe në shtetin fqinj. Gjithësesi ai nuk e ka harruar orgjinën duke u bërë pjesë e Kombëtares shqiptare të çiklizmit dhe padyshim duke pretenduar edhe përfaqësim të denjë të Shqipërisë në kampionate ndërkombëtare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat