Muharrem Marko Salihu: Kosovë - Serbi, a do të ketë shkëmbim territoresh?

Diaspora

Muharrem Marko Salihu: Kosovë - Serbi, a do të ketë shkëmbim territoresh?

Nga: Beqir Sina Më: 7 shtator 2022 Në ora: 00:18
Autori Beqir Sina dhe i intervistuari Marko Salihu

Presidenti i Francës Macron dhe kancelari i Gjermanisë Scholz, këtë ditë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të përgatitet për vendime të vështira sa i përket çështjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. 

Në Venecia të Italisë, ne pyetëm aktivistin dhe biznesmenin Marko Salihu se çfarë nënkuptojnë udhëheqësit europianë me fjalën “vendime të vështira”, a ka të bëjë kjo thjesht me lirinë e lëvizjes apo me një skemë më të madhe që përfshin njohjen?

Unë mendoj se kërkesa për t’u përgatitur për koncensione të vështira që synohet, ka të bëjë pikërisht për mbrojtjen apo në atë se çfarë do të përmbajë kjo marrëveshje. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm dhe theksi kryesor duhet të qëndrojë në këtë se çfarë përmbajtjeje do të ketë kjo marrëveshje, a do të jetë vërtet reciproke, ashtu siç po përmendet, apo do të jetë një lloj kushtëzimi për të pranuar një marrëveshje e cila mund mos të jetë e gatshme për ne.

Zoti Salihu, a do të thotë kjo se qeveria Kurti do të jepte dorëheqjen nëse nuk pranon kushtin për bashkësinë e komunave serbe?

Tani, unë nuk mendoj se zoti Kurti është i detyruar të japë dorëheqjen përderisa ka diçka për të ofruar. Ai mund të ofrojë alternativa, nuk ka nevojë që të qëndrojë në një pozitë të tillë, pra të bjerë në kundërshtim me ato çfarë i ka premtuar gjatë kohës që ishte në opozitë, ndërkohë që kemi edhe deklaratat e tij të njëpasnjëshme, kur ai thotë se është i pashantazhueshëm dhe ky është një lajm i mirë për ne; dhe kjo sigurisht, se na bën të gjithë të ndihemi të sigurtë dhe kjo gjithashtu dëshmon se ai nuk ka nevojë të ndodhet në një pozitë ku nuk ka alternativë për vetë faktin se mund të ofrojë alternativa të mjaftueshme në këtë rast, mund të japë kërkesën që do t’i ekuivalonte, do të qëndronte pro, në simetri me kërkesat e palës serbe në lidhje me pakicat respektive. Unë nuk mendoj se ndërkombëtarët janë kundër që shqiptarët në Serbi të kenë të drejtat e njëjta që pretendojnë t’i kenë serbët në Kosovë. Dhe kjo është ajo që çfarë duhet të përdoret me theks dhe me ngulm dhe të qëndrohet fort në këtë argument, në mënyrë që mos të pranojnë çdo lloj marrëveshjeje sa për të arritur në një njohje të ndërsjellë.

Përse krijimi i Asosacionit do të ishte një hap prapa për Kosovën? Çfarë do të humbiste Kosova?

Krijimi i parësisë së komunave me karakter njëetnik është element i mjaftueshëm për të kuptuar se mungon sinqeriteti për një marrëveshje historike. Do të thotë, ai paragjykon qëllime të caktuara që në një të nesërme, në një të ardhme të afërt, dikush mund të pretendojë në jetësimin e zgjeruar të atyre kërkesave për vende të caktuara në Kosovë, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm në këto kërkesa dhe t’i balancojmë duke i vendosur në barazpeshë me kërkesat e shqiptarëve në Serbi. Kosova po rëndohet më shumë sesa mund të mbajë një barrë të tillë nëse Kosovës i kërkohet themelimi i një parësie të komunave me karakter njëetnik qartësisht, por kërkohet një Kosovë e pavarur respektivisht; Kosovës i kërkohet që të mohojë pavarësinë e vet. Prandaj Kurti, në këto kondita, sigurisht se jo vetëm ai, por kushdo që të jetë në vendin e tij, do të duhej të jepte dorëheqjen apo nuk do të duhej kurrsesi të pranonte një marrëveshje të tillë.

Çfarë mund të ndodhte nëse qeveria Kurti jepte dorëheqjen?

Atëherë, duhet të rishikojmë të gjitha sakrificat që janë bërë deri këtu për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Cila mund të ishte një zgjidhje e mirë?

Alternativa ekziston dhe nuk e kuptoj pse duhet ta kërkojmë apo ta anashkalojmë. Pra, unë personalisht, mendoj se përsa u përket të drejtave të pakicave serbe apo të drejtave të pakicave të tjera në Kosovë, në këtë rast, po flasim për Serbinë, unë do t’i jepja lapsin dhe letrën presidentit Vuçiç që të caktojë çfarë të drejtash dëshiron ai që të kenë serbët në Kosovë, të njëjtat vlejnë për shqiptarët në Serbi. Dhe nuk do të diskutonim më shumë, as se ata do të thonin që edhe në rastin reciprok, respektiv të kenë të drejtën në krijim të asosacioneve, kjo është një shkallë e parafundit, para se të arrijmë në drejtim të territoreve, sepse përndryshe, nuk ka kuptim ndërrimi i nënterritoreve apo i autonomive të vogla brenda shteteve ekzistuese, përveçse nëse ka ndonjë prapavijë tjetër dhe meqë në horizont shihen se ku janë synimet, sepse ato janë tani të vetëkuptueshme, atëherë pse mos të shkohet drejt një zgjidhjeje pragmatike, definitive dhe t’i zgjidhim në mënyrë të drejtë, që të jenë në mënyrë simetrike, të barabartë, metër me metër apo kilometër me kilometër, por do të ishte që mos të kompromentohen territoret komunale, ashtu siç janë të përbëra aktualisht.

Pra, a do të kishim të bënim me një shkëmbim territoresh dhe kjo mes shqiptarëve nuk është pritur mirë si ide?

Tani, ka të bëjë shumë se si ne i artikulojmë kërkesat apo i paraqesim problemet. Sigurisht që ka patur ndryshime të mjaftueshme në artikulimin e këtyre ideve në të kaluarën dhe nuk kanë të qarta thuajse për asnjërën prej palëve. Unë personalisht, nuk kam dëgjuar asnjëherë një kërkesë të tillë nga pala serbe. Kam dëgjuar vetë, nga pala shqiptare e cila ka interpretuar kërkesat e Serbisë. Flitet se në qarqe të caktuara diplomatike, ka qenë kërkesa e Serbisë, por unë nuk kam arritur ta lexoj diku, se ka thënë dikush nga serbët këtë apo atë. Tani, nuk është tragjik shkëmbimi i territoreve sepse nuk duhet ta marrim të mirëqenë pse para fjalës shkëmbim qëndron fjala territor; ne mund ta marrim si një shkëmbim të rëndomtë pra, diçka që bëhet në paqe dhe bëhet me mirëkuptim, është në interes të të dy shteteve dhe nëse kjo është mënyra pra për t’i zgjidhur thjesht problemet ekzistuese. Athere pse mos të ndodhë kjo?

Zoti Salihu, ju jeni vetë nga Mevdegja dhe besoj se keni një njohje të mirë të përpjekjeve të mëparshme në këtë aspekt. Përse dështuan këto përpjekje?

Duhet të kthehemi pak në aspektin kronologjik, që t’i marrim gjërat siç kanë qenë domethënë, ne kemi jetuar në një bashkësi të disa republikave dhe kemi trashëguar sidomos Serbinë, apo shteti ku unë jetoj, është bërë njëfarë forme trashëguese e gjithë asaj që e quaj Jugosllavi, sidomos në aspektin e përzgjedhur. Ajo çka i ka interesuar më shumë në këtë rast, ishte ushtria, pra kishte forcën, kishte strukturat diplomatike nëpër botë; dhe të gjitha këto e kanë bërë Serbinë që të mendojë se do të ketë forcë për të caktuar kushte për të zgjidhur problemet në mënyrën e saj. Këto nuk kanë funksionuar dhe kjo ka marrë një kohë të gjatë.

Mendoj se tani në Serbi, ka forca progresive të mjaftueshme që qartësisht po i definojnë këto gjëra, pra respektivisht, po i demaskojnë, po njoftojnë popullin e tyre njëkohësisht se Serbia është kjo që është dhe nuk është më në qendër të botës, siç ishte Jugosllavia dikur sepse sot, Serbia rankohet në listën e 100 apo 180 shteteve për nga rëndësia e territorit dhe e popullsisë. Pra, parametrat kanë ndryshuar dhe nuk janë më ato kondita sot. Serbia, besoj, është e gatshme që të bëjë një kompromis por ne duhet të jemi kosistentë dhe duhet të insistojmë në ato çfarë na japin një zgjidhje afatgjatë.

A është realist një shkëmbim territoresh të ndodhë sot?

Ne fillimisht, duhet të diskutojmë apo të definojmë çfarë është ai shkëmbim. Pra, unë po flas për një shkëmbim të drejtë. Kjo nuk mund të ndodhë sot, sepse nuk dihet akoma për faktin se shqiptarët nga jugu i Serbisë janë larguar jo rastësisht, por janë deportuar, pra përmes një veprimi administrativ që quhet spastrim administrativ, atyre u janë pasivizuar adresat dhe janë shndërruar në njerëz apatriotë faktikisht, gjë që është bërë me paramendim nga Serbia për të reduktuar numrin e shqiptarëve aty, në mënyrë që në momentin kur të vijnë deri në ndërrimin e territoreve apo ndonjë marrëveshje e tillë, shqiptarët të ndihen të dobësuar, pra, mos të kenë çfarë të ndërrojnë, sepse aty nuk ka shqiptarë.

Kjo ishte tendenca dhe Serbia e ka kuptuar; të gjithë ne e dimë se lufta bëhet për territore dhe jo për popuj, prandaj territoret tona janë ato të cilat janë aty dhe mbi të gjitha duhet të theksoj një element që është shumë i rëndësishëm, historik; pra, ne jemi autoktonë aty, nuk jemi pakicë e ardhur; jemi edhe më autoktonë se pakica serbe në Kosovë. Fillimisht, duhet kuptuar se kompromisi përmes shkëmbimit të territoreve është një alternativë e cila po na imponon që të arrijmë aty, për faktin se Serbia po synon që të ketë të drejta për pakicën e vet në Kosovë më shumë se pakicat shqiptare në Serbi; dhe kjo detyrimisht, po na kanalizon në një përfundim të tillë; nëse nuk arrijmë që të pranojmë natyrshëm ekzistencën e pakicave respektive te vendet tona, atëherë kjo të imponon një zgjidhje më radikale, pra siç është shkëmbimi i territoreve. Sigurisht, se nëse arrihet kjo, unë mendoj se nuk është zgjidhje e gabuar për arsye se është një zgjidhje e personalizuar për të dy palët; nuk është diçka që është shumë e aplikueshme, por është e personalizuar dhe në këtë rast, do të zgjidhte pronblemet. Pra fillimisht, do të zgjidhte në masë të madhe, problemet e pakicave të cilat janë të koncentruara këtyre në veri të Kosovës dhe këtyre në jug të Serbisë, po flas për tre komunat, Preshevë, Mevdegjë dhe Bujanovc dhe ato në veri. Por gjithashtu, do të zgjidhte problemin definitivisht edhe të pakicave respektive që jetojnë në brendi të shteteve pra, sepse në Serbi, janë 150 komuna; në 136 prej tyre, jetojnë shqiptarët e me dhjetëra mijëra, siç është rasti i atyre në Novisad e Beograd dhe deri në Ishëm e kështu me radhë. Pra, shqiptarë ka në brendi të Serbisë, relativisht shumë apo gjysma e tyre në tërësi, ndodhet atje, ashtu siç ka edhe në brendi të Kosovës. Por këto pakica do të ndiheshin si në shtëpitë e tyre, për faktin se shtetet nuk do të perceptonin ndonjë rrezik të mundshëm nga ndonjë organizim territorial i tyre apo ku ta di unë çfarë natyre; ato do të krijonin atmosferë për t’u mburrur me trajtimin që u jepnin atyre sepse prej tyre nuk shohin më rrezik dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të ndikonte në mirëqenien e këtyre pakicave që mbetën të shpërndara në brendinë e territoreve të shteteve respektive.

Zoti Salihu, çfarë ndikimi do të kishte Ballkani i hapur në këto ide për shkëmbim territoresh?

Tani, ikja nga Ballkani i hapur është sikurse ikja nga Bashkimi Europian. Ne të gjithë në rajon, synojmë të shkojmë në Bashkimin Europian. Mirëpo, atje nuk mund të shkohet pa plotësuar disa kushte; janë disa rregulla dhe fakti që ne synojmë ta anashkalojmë Bashkimin Europian për të krijuar një miniEuropë në shtëpinë tonë, është vetëm një tendencë për të ikur nga detyrat të cilat nuk po arrijmë t’i zgjidhim dhe një alternativë për të dëshmuar në aparencë se këtu është gjithçka në rregull, ndërkohë që përmbajtja në brendi është ajo që deri tani po del tërë probleme.

Ju faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat