Unë demonstrues për Republikën e Kosovës

Dokumentare

Unë demonstrues për Republikën e Kosovës

Nga: Teli Mihali Më: 8 prill 2022 Në ora: 15:07
Foto ilustrim Protestat e vitit 1981

Këtë të enjte të dy prillit të vitit 1981, nuk do ta harroj derisa të vdes. Dita që së pari herë e përjetova një ndjenje të tillë pjesëmarrje në demonstratë.

Dy prill. Nuk u zgjova shumë herët si ditëve tjera. Ndjeja njëfar demoralizimi në vete. Edhe pse, vëllai i madh më tha të punoja një punë në arë....pasi që ai mungoi, se ishte në pazar dhe u vonua, puna na mbeti pa u kryer.

Nëna më përgatiti bukën dhe unë hëngra bukë dhe u nisa për në shkollë.

Para se të hynim në mësim, u takova me disa shokë të klasës dhe bisedonim me ta. Njëri nga ata {X} fliste për pjesëmarrjen e tij në demonstratën e djeshme në kryeqytet fliste dhe i theksonte fjalët dhe na tregonte ngjarjen.... Na u afrua edhe një shok tjetër, por ky kishte qëndrime tjera.....sepse, siç edhe i thoshim ne ka qëlluar komunist.....

Shoku {X} fliste,e unë i bëra me shenjë të mos e vazhdonte, por, ky nuk ndalonte....Tregonte se si një djalosh i vogël fare [ sigurisht i fillores] kishte folur me megaton dhe kishte brohoritur “Duam Republikën, Duam republikën.....Duam shokët nga burgu...Na 1 lironi shokët etj.

Ndërkohë edhe në fytyrat e nxënësve që kalonin e silleshin ashtu dukej një hije e kuqërremtë dhe turrëse që me shikimet e tyre të shponin.... Edhe lëvizjet e profesorëve...edhe të A. dhe M. ..... por, edhe të Miqes dhe të pedagogut..... ishin si lëvizje e shprehje dhe ecje të agjentëve....sikur fshehtas po na ndiqnin...e ne i shihnim hapur. por, dukeshin të neveritshëm.

Ato lëvizje e ecje e shprehje të tyre,vërtet sytë e mi, kanë mundur t`i shikojnë nëpër filma kriminalistik.... Nuk ishin vetëm këta...por,edhe disa profesorë të tjerë.

Në klase ishte qetësi e lëvizjeve, por, flisnin sytë dhe kundronin zemrat me njëra tjetrën dhe kuptoheshin shumë mirë. Ja, këto të gjitha unë i shikoja dhe lexoja shumë episode, skena lëvizjeje, sy urrejtës dhe ecje të pamatura.... Do të lëvizë diçka, i thash shokut (A) Sigurisht, ma ktheu.....dhe, edhe ky nuk rrinte brenda fare,për tërë pushimin në mes orëve. E kuptova se çka do të bëhej sot, por, nuk e merrja me mend se si do të bëhej.....

Orën e parë e mbajti profesori i marksizmit e të dytën nje profesoreshë. Ne orën e tretë erdhi profesori i edukatës fizike.

Aty kah mesi i orës, durimi u thye....Klasa bëri një hauz të madh...Profesori donte të mbante qetësinë. Na fliste e thoshte diçka, por, askush se dëgjonte. Aty nga mesi i orës, disa zhurma ia mbuluan fjalët .... Turma e nxënësve kishte ardhur pranë dyerve të shkollës, profesori doli jashtë. Pas tij, ashtu vetvetiu, dola edhe unë. Çka të shihja, ishte mbushur oborri përplot me nxënës. I pashe me sytë e mi kur hapën njërin krah të portës së hyrjes. Kurirët kundërshtonin,por, turma nuk dëgjonte askënd. Krahun tjetër e thyen. Tani, turma e nxënësve hyri brenda dhe me zë të lartë thërrisnin që të dilnim jashtë e të ju bashkëngjitemi ...Disa nxënës edhe hynin nëpër klasë dhe i ftonin të dilnin jashtë. Dilnin të gjithë e klasa jonë veçse patëm dalë të gjithë. Tani pashë edhe një shoqen time, të grupit ku ushtronim....e kjo ishte nxënëse e paradites....Nxënësit,vajza e djem, të gjithë sa ishin, sikur ishin të mbushur plot me vuajtje e sikur do t`i zbraznin këtë ditë.

Drejtori dhe të tjerët rreth tij flisnin e na këshillonin, por, askush s`ua vinte veshin. Mjaftonte një fjalë ta thoshte dikush e të tjerët e përcillnin me brohoritje.

Dikush fliste për organizim, por si duket nuk e dëgjonin.

U nisëm për në qytet. Duke shkuar, dikush i gjuante dritaret me gurë. Unë dhe disa të tjerë u flisnim të mos gjuanin, por, nuk na dëgjonin. Dikush foli ti thërrisnim punëtorët e koka kolës, por, s`di si u be e nuk di a i thirri kush.

Pompën e benzinës e gjuanin me gurë dhe i thyen xhamat ...Një makine u fsheh pas saj. Aty pranë mullirit, në largësi, një serb (ishte me një tufë flokësh të bardhë në ballë) na shau nënen shqiptare....Shoku im (F) ia ktheu të sharën dhe disa nxënës e gjuajtën me gurë,e ai serbi balosh, iku me vrap.

Turma ecte përpara. Shkonim duke kënduar dhe duke brohoritur. Posa kaluam një urë të vogël të “janjevkës”, ishim pothuaj gjysma e kolonës, dolën policia që ishte fshehur pas plepave. filluan kërsimat e pushkëve dhe bombat e gazt....Na bërtisnin që të ktheheshim. Kolona u nda.

lsha pothuajse në ballë të kolonës së dytë. Papritmas, i hodhën dy mina me tym. Njëra më erdhi te këmbët e mija dhe shpërtheu. Tymi më hyri në hundë dhe sytë filluan të më lotojnë. Por, menjëherë teshtiva dhe mu duk se u lirova paksa...

Mu ndalën edhe lotët. Policët i gjuanim me gurë, por ,ata fshiheshin pas plepave. Ata prapë hodhën mina me tym. Një mine që hodhën e që kishte diçka si zvarre, nuk kërciti fare. Hidhjua atyre, i thash një shokut që ishte pranë. Ky ua hodhi, por, prapë nuk shpërtheu.

Ashtu,gjithë sa ishim, pasi na ndanë nga turma përpara, në, me gurë në duar u nisem për në qytet.... Duke i gjuajtur policët, në thyem edhe xhamat e një bar kafeje që ishte buze rrugës dhe një embëltoreje para stacionit të autobusëve. Disa nxënës i gjuanin me gurë edhe i thyenin xhamat edhe të shtëpive që gjendeshin pranë rrugës. Më e keqja ishte se kur dilnin disa serb dhe na shanin, disa nxënës i shanin, por, edhe i gjuanin me gurë.

Duke ecur,mendoja për veten. Unë demonstrues për Republikën e Kosovës...... O sa gëzim ndjeja.

Por kur u afruam pranë policeve,pastaj krisma e pushkëve, krisima dhe tymi i minave lotsjellëse .....gëzimi u përzi me friken....Tani këto të dyja luftonin në qenien time ..Mu duk vetja si teli Mihali (Me valët e jetes) V,K.

Kur turma e nxënësve mbërriti deri te rruga e ambulantës ,policia na sulmoi prapë. Ata na ndoqën e ne u shpërndamë. Nuk shihja ku shkelja. Vetëm lëvizja këmbët dhe duhej të mbahesha për ndokënd, se do të rrëzohesha.

Thanë se i kapën dy veta, por unë s`i pashë. Pastaj, në ikje e sipër, flisnin e tregonin se e rrahën një vajzë. Një djalosh e pashë me sytë e mi, kur një polic i mëshoi në krahëror me kondakun e pushkës. Djaloshi mundohej të mbrohej....Sa morëm rrugën e ambulantës dhe kthyem në të majtë,u bashkuam me një grup tjetër të nxënësve. Prapë policia na sulmoi dhe ne prapë ikëm. Sa dolëm në rrugën kryesore u takova me shokun tim [F]

ishte së bashku me një vajzë dhe unë u afrova te ata. Policia vrapoi pas një grupi tjetër që ishin shumë. Ne të tre ecnim anash dhe shkuam deri te një çezme. Shoku [F] dhe vajza ,lanë sytë dhe pine ujë se ishin djersitur duke vrapuar .Unë ua mbajta pallton. Te mjeshtri i orëve pamë se policia kishte

bllokuar rrugën. Ne shkuam në krahun tjetër nga shkolla fillore dhe u bashkuam me grupin tjetër. Tani, sa po kalonim, pashë drejtorin dhe shumë profesorë që flisnin e na qortonin....

Vërtetë, më dukeshin të urryer....dhe po të kisha mundësi do t`ua prishja atë gëzim që u dukej në fytyrë, kur na shpërndanin policia.

Tani vazhduam rrugën për stacion. Na kishte kapluar njëfar heshtje dhe njëfar qetësie.

Unë isha me mbrapa të tjerëve. Për një moment pashe dy serbë, para disa dyerve të zeza, njeri me pushke qiftë në dorë. Tjetri sikur e ndalonte dhe e shtynte brenda. Sa hynte ato dyer ai serbi shante. Nuk u durova por ua ktheva.

Sa u afrova te turma,që tashme ishte te rruga në të djathtë të kishës,dhe kishte mbrrirë deri te shtëpia ku lnurej leshi, nga larg pashë shokun tim [F] që kishte hipur mbi një rrote kamioni dhe si gjithëherë që ishte, me plot zemër bërtiste “përpara,shokë,përpara”.

Turma brehoriti dhe ushtoi me zë të përbashkët. Por, policia prapë na u vërsulen dhe na ndiqnin si të tërbuar. Shiheshin se si dilnin nga qoshet dhe nga oborret e serbëve e besa i ndihmonin edhe serbët civil, për të nxënë e për të rrahur demonstruesit.

Duke vrapuar pashë se ju vërsulen shokut [F] ndoshta pse e veneruan që u ngrit e i dha zemër turmës dhe për pak ju shpëtoi nga duart dhe iku.....Sa e takova, rastësisht edhe shokun [X] pashë se ishte i gërvishur në nofull dhe më tregoi se një polic e kishte sulmuar me bajonetën e pushkës.

Policet na ndiqnin dhe ku mundeshin ju meshonin demonstruesve. Vet i pashë se disa nxënës i zunë në një oborr të një serbi. Sa po tentonin të dilnin nga dera e oborrit një polic ua drejtoi pushkën. Shpejt erdhën edhe disa të tjerë dhe i zunë ata nxënës. Unë u drejtova në rrugën për stacion të autobusëve dhe isha gati i vetëm. Nuk munda të vrapoja më. Sa pashe prapë drejtorin që i fliste një djaloshi që nuk ishte nxënës. Këtë person e njihja vetëm si figurë dhe ishte nga një fshat i afërt.

Ky ishte një djalosh me flokë të bardha dhe kaçurrela. lshte i veshur me gjinse dhe ishte shpatullgjere me shtat të zhvilluar. Ecte ballëhapur dhe krenare dhe këndonte ....

Seç foli drejtori, kur ky djaloshi ju kthye dhe me zë të lartë e kundërshtoi. Edhe, besa, i bërtiti dhe ju kërcënua drejtori ndaloi dhe nuk fliste.

Në ato momente,vërtet më bëri ta dua atë djalosh,vetëm pse ia mbylli gojën drejtorit...dhe më bëri ta mbaj në mend për shumë kohë.

Ashtu,unë mbërriva në stacion sa solla pak dhe shihja se nuk pashë asnjë shok timin.

Hipa në autobus fare i dëshpëruar dhe i mërzitur dhe mbërriva në shtëpi.

I tregova nënës dhe ajo filloi të qante. Pastaj, morën vesh e gjithë familja.

Tani po e shënoj edhe ëndërren që pashë atë natë.

Disi një trazirë. Shkolla si në ndërtim sepse, dukeshin punëtorët që punonin në kulm. Unë vrapoja sa andej këndej. Pastaj, një shoqe imja qe unë e kisha simpati më buzëqeshte. Ishte me disa shoqe tjera që rrinin bashkë .Pastaj, ishin shumë nxënës në lëvizje, si tollovi. E, shkuam, disi, të pimë ujë te cezmja e shkollës. Pranë çezmës një tavoline e mbi te ,dy gjarpërinj. Njeri ishte ngjyre të gjelbër të çelet dhe si me lesh në shpinë dhe si me do qime të gjata e të rralla anash.

Profesori ynë [SH] e prekte me dorë atë të gjelbrin me qime. Unë frikësohesha. Profesori qeshte dhe e lëmonte gjarprin. E mori nga koka dhe ia ngriti kokën paksa lart. Gjarpri ishte i gjate dhe i dukeshin shumë rrathë në trupin e tij. Unë i thosha profesorit se ky gjarpër ishte i rrezikshëm. Ata,të gjithë qeshnin me mua. Bashkë me ta qeshte edhe shoqja ime simpatike me gjithë disa vajza tjera.

Gjarpri tjetër, shpjegonte profesori, ishte i butë. Atë e kapte me dore, por,ai ishte më i shkurtër dhe kishte ngjyrë si të verdhë të mbyllet.

PS: Autori ka preferuar që shkrimi i tij të publikohet nën pseudonimin "Teli Mihali".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat