U nda nga jeta 'mësuesi i merituar' Sadik Sejdi Leka

Dokumentare

U nda nga jeta 'mësuesi i merituar' Sadik Sejdi Leka

Nga: Thanas L. Gjika Më: 11 gusht 2022 Në ora: 16:32
Sadik Sejdi Leka

Më 2 gusht 2022 u nda nga jeta prej komunitetit shqiptaro-amerikan të qytetit Clinton MA, 'Mësuesi i Merituar' Sadik Sejdi Leka në moshën 81-vjeçare.

Sadiku ishte lindur në fshatin Qinamakë të Kuksit më 5 Prill 1941. Ai pati një fëmijëri të vështirë, mbasi babai i tij e la jetim në moshën 10-vjeçare bashkë me një vëlla 8 vjet më të vogël. Në vitin shkollor 1955-1956 Sadiku fitoi bursë shteti për të studiuar në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës. Aty, djaloshi nga Malësia e Kuksit u njoh me shumë shokë e shoqe nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Përfundimi me rezultate të larta të kësaj shkolle e nxiti Sadikun të kërkonte të drejtë studimi për të vijuar shkollën e lartë, Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës për degën Gjuhë-Letërsi-Histori. Pasi e fitoi bursën edhe për këtë shkollë, ai e kreu atë me sukses dhe në shtator të vitit 1961 filloi punën si mësues i gjuhës e i letërsisë në shkollën 7-vjeçare të fshatit Surroj të Kuksit.

Duke u shquar për korrektësi e profesionalizëm Seksioni i Arsimit të Rrethit e emëroi pas disa vjetësh Inspektor arsimi e më vonë Drejtor shkolle në fshatin Arren të Kukësit.

Në vitin 1970 ai u martua me zonjushen Baftie Domi, infermiere. Më pas u emërua Drejtor shkolle në fshatin Surroj të Kukesit. Nga viti 1971 filluan lindjet e fëmijëve, në çdo dy vjet nga një. Për të qenë pranë familjes Sadiku kërkoi të emërohej mësues në fshatin e lindjes ku kishte nënën, bashkëshorten e katër fëmijët e parë. Kërkesa iu muarr parasysh dhe ai filloi punën si mësues në shkollën 8-vjeçare në Qinamakë. Jeta familjare vijoi të begatohej. Sadiku e Baftia lindën dhe tre fëmijë të tjerë, gjithsej pesë djem e dy vajza. Të gjithë të pashëm, të shëndetshëm e të zgjuar. Katër prej tyre kryen shkolla të larta, vajza e madhe, Violeta u bë mjeke e dalluar, djali i madh Alberti kreu Shkollën e Lartë Ushtarake dhe e mbajtën me punë në Tiranë, Albani mbaroi Shkollën e lartë të Policisë, vajza Afërdita mbaroi shkollën e lartë për Infermjeri dhe tre të tjerët shkollat e mesme.

Në vitin 1996 u vlerësua me titullin 'Mësues i merituar”. Dy vjet më vonë doli në pension pas 37 vjet shërbimi. Shumë ish-nxënës të Sadik Lekës janë shpërndarë nëpër atdhe e diasporë dhe ruajnë respekt të vecantë për të. Në vitin 1997 djali i madh Alberti me nusen e tij fitoi lotarinë e Green Cardit dhe u vendos në qytetin Clinton MA, pranë kushërirës Ava-Maria Domi Bulgareci.

Baba Sadiku erdhi si turist për të parë djalin, nusen dhe nipin e parë, Edin, që kishte lindur në Amerikë. Pikërisht në vitet 1999-2000 u njohëm bashkë. Më pëlqeu për karakterin e malësorit të vërtetë, për historitë e bukura që tregonte nga jeta e tij, për bindjet demokratike të pastra. Pasi e shëtiti djali në disa qytete, Sadiku e pëlqeu qytetin dhe klimën e këtushme. Djemtë e tjerë filluan të vinin njëri pas tjetrit dhe Sadiku me Baftien erdhën dhe ata me bashkim familjar.

Në Clinton MA familjet Leka u shtuan shpejt: përveç dy prindërve dhe familjes së djalit të madh, aty u vendosën dhe dy djem të tjerë me nuset e fëmijët e dy djemtë beqarë. Të gjithë u punësuan në punë të ndryshme dhe në biznese private. Albani u bë anëtar i Federatës Panshqiptare Vatra dhe Sadiku lexonte rregullisht gazetën “Dielli”.

Si pensionistë Sadiku me bashkëshorten kryenin rregullisht shëtitje te parku i qytetit dhe krijuan përshtypje të mira te banorët amerikanë për sjelljen korrekte e pamjen dinjitoze. Shpesh herë mblidheshim herë te shtëpia e Albertit e herë te shtëpia e Besimit për të luajtur shah. Bëhej një farë kampionati midis djemve, babai e meje. Besimi fitonte më shpesh. Unë isha më i dobti dhe Adriatiku më ndihmonte duke më treguar me gjeste se cilin gur të lëvizja për të shpëtuar nga Mati.

Djemtë i dërguan prindërit disa herë për vizitë në atdhe. Begatia dhe lumturia ndjehej tek ata dhe te familjet e reja. Sadiku e Baftia e ndjenin veten të uruar prej Zotit, rrethuar me pesë djemtë, tre nuse, tre nipër e dy mbesa.

Kur i shihja djemtë azgana e fëmijët e tyre njëri më i bukur se tjetri, i thosha: -“Sadik ti po e pasuron e shton Amerikën, por atdheun e varfërove me largimin tat e me gjithë djem”. Ai ma priste: -“ Atje në Tiranë ua kam lënë një shtëpi boll të madhe e të bukur, kur të forcohet shteti ligjor le të kthehen njëri, a dy prej tyre, të vijojnë bizneset, se dhe atje mund të pasurohen si këtu e mund të bëjnë jetë më të këndshme.”

Mirëpo në fillim të vitit 2021 Sadiku filloi të vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila iu keqësua me rritme të shpejta pasi ai bëri një vizitë respekti në atdhe, ku shkoi për të varrosur vëllain e tij më të vogël, që u nda nga jeta parakohe. Shërbimet e mjekëve dhe të bashkëshortes, e cila nuk iu nda asnjë minutë në shtëpi, spital e nërsinghomë, nuk ia lehtësuan dot sëmundjen.

Pasi u muarr leja e riatdhesimit të kufomës, gjashtë pjesëtarë të familjes së madhe Leka u nisën për ta varrosur trupin e tij pranë prindërve të vet në Qinamakë të Kuksit, sipas porosisë, që ai kishte lënë me gojë.

Në qytetin Clinton MA, komuniteti i vjetër i formuar para Luftës së Dytë Botërore ishte i vogël me nja katër familje, që nuk kishin fëmijë e lidhje me njëri tjetrin. Midis tyre shquhej vetëm Jim (Dhimitër) Marko, nip i atdhetarit korcar Thimi Marko. Ai ka dy vajza. Nga viti 1996 atje u shtuan shqiptarët e riardhur. Pas familjes Bulgareci erdhën familjet Leka e Vrapi, numëri i të cilëve u shtua me vajza e djem. Por kur kujton Clinton MA mendja të vete me njëherë tek familjet LEKA nga Kuksi, ato i japin tonin komunitetit tonë atje.

Sadik Leka është i treti person i këtij komuniteti, që largohet nga jeta. I pari u largua Ing. Petraq Bulgareci, pas tij u largua ish-bashkëshortja Ava-Maria Domi Bulgareci, të cilët nuk patën fëmijë.

Humbja e Sadikut le në hidherim pasardhësit, dy vajzat: Violeta dhe Afterdita, pesë djemtë: Alberti, Albani, Besimi, Klodi e Adriatiku, shtatë nipërit: Edi, Andi, Dioni, Borisi, Eglantini, Ledioni, Elioni, si dhe katër mbesat: Alina, Erisa, Amanda e Diellza. Po ashtu le në hidhërim dhe familjen e madhe të vellait të tij në Shqipëri.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Mësuesit të nderuar e mikut tim Sadik Sejdi Leka!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat