Bashkia e Durrësit, 2 mln dollarë tendera për të rregulluar rrugët brenda 84 ditëve

Durrësi

Bashkia e Durrësit, 2 mln dollarë tendera për të rregulluar rrugët brenda 84 ditëve

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Bashkia e qytetit të Durrësit ka shpallur tender 2 milionë dollarë për rehabilitimin e 4 rrugëve. Teksa kërkon nga operatorët të përfundojnë punimet brenda 84 ditëve, detyrimet financiare do të paguhen nga buxheti i këtij viti dhe vitit të ardhshëm.

Procedurat e nxituara të Bashkisë së Durrësit krijojnë dyshimet se qëllimi nuk është tek mirëqenia e qytetarëve, por tek fushata elektorale

Disa tendera për rehabilitim rrugësh, me vlerë totale rreth 2 milionë dollarë, të shpallura së fundmi me nxitim nga Bashkia e Durrësit, krijojnë dyshimet se gjithçka është pjesë e asaj që konsiderohet si ‘asfalt elektoral’. Bashkia e qytetit bregdetar ka shpallur procedurat për rehabilitimin e rrugëve ‘Tepelena’, ‘Shën Pjetër’, ‘Shkumbi’ dhe ‘Danubi’, me një vlerë rreth 500 mijë dollarë secila. Natyrisht, rehabilitimi dhe rikonstruksioni i rrugëve është një investim në shërbim të publikut.

Por, procedurat e nxituara të Bashkisë së Durrësit krijojnë dyshimet se qëllimi nuk është tek mirëqenia e qytetarëve, por tek fushata elektorale. Ka një detaj që krijon përshtypjen se investimi për rehabilitimin e 4 rrugëve në Durrës lidhet me procesin elektoral të 25 Prillit 2021. Bashkia e Durrësit kërkon që operatorët fitues të përfundojnë rehabilitimin e rrugëve për një periudhë 84 ditore, e cila përkon afërsisht me datën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Ndërkohë, Bashkia e Durrësit nuk i ka paratë për këto tendera. Në dokumentat që shoqërojnë procedurën e prokurimit publik, për secilën rrugë shënohet se gjysma e parave do të jepen nga buxheti i vitit 2021 dhe pjesa tjetër nga buxheti i vitit 2022. Për këdo që ka njohuri edhe minimale nga tenderat, është e qartë që ato shpallen pasi autoriteti kontraktor ka siguruar më së paku fondet për realizimin e tyre.

Por, nuk ka ndodhur kështu me Bashkinë e Durrësit. Ajo synon rehabilitimin pjesor të 4 rrugëve në më pak se 3 muaj. Por nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit deklaron se kompanitë do të paguhen, në rastin më të mirë pas një viti.

Media ka konsultuar dokumentet e tenderave të Durrësit, të shpallur së fundmi në Agjencinë e Prokurimit Publik. Në tenderin për rikonstruksionin e rrugës ‘Danubi’, me fond limit 60 milionë lekë të reja me TVSH, Bashkia e Durrësit sqaron se financimi do të kryhet me dy faza-në vitin 2021 do të paguhen 28 milionë lekë të reja. Një vit më pas, do të paguhet diferenca prej 32 milionë lekë të reja.

E njëjta skemë pritet të përdoret edhe për rikonstruksionin e tre rrugëve të tjera, ku kompanitë fituese do të duhet të presin më së paku një vit për të marrë pagesat e punës që duhet të mbyllin në periudhën Prill-Maj 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat