Naftëtarëve të Kosovës po ju duken shumë 700 euro në tri vjet për pastrim të rezervuarve

Ekonomi

Naftëtarëve të Kosovës po ju duken shumë 700 euro në tri vjet për pastrim të rezervuarve

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Kompanitë e që shesin derivate në Kosovë që 20 vite nuk kanë bërë pastrimin e rezervuarve. Një vendim për pastrimin e tyre çdo 3 vite po kundërshtohet nga kompanitë, ndërsa ministri i Tregtisë Endrit Shala e arsyeton këtë për të mirë e konsumatorëve dhe si plotësim të standardeve të BE-së, ndërkohë ata që kanë laboratorë janë në përkrahje të vendimit.

Udhëzimi administrativ që obligon kompanitë që shesin derivate t’i pastrojnë rezervuarët çdo 3 vjet ka nxitur kundërshtime mes ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe Shoqatës së ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës (ShQNGL).

Për këto të fundit është e papranueshme që një ministër në detyrë të marrë një vendim të tillë, që sipas tyre, prek kaq shumë bizneset, vendim ky që obligon 700 shoqëri tregtare që çdo tre vite të bëjnë pastrimin e rezervuarëve që kushton 700 euro. Për këtë, naftëtarët kërkojnë nga Shala që të tërheq vendimin e marrë, ndryshme paralajmërojnë padi ndaj tij.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, u përgjigjet naftëtarëve në lidhje me këtë udhëzim administrativ të cilin e ka nënshkruar dje, duke thënë se në këtë mënyrë po i mbron konsumatorët.

Sipas tij, shoqëritë tregtare nuk i pastruan rezervuarët tash e 20 vite.

Sa i përket kostos që këto shoqëri tregtare obligohen të paguajnë me rastin e pastrimit të rezervuarëve, Shala thotë se për të janë qytetarët ata që mbeten prioriteti i tij. 

Shala – Shoqatës së naftëtarëve: Fokusi im është mbrojtja e qytetarit

“Fokus primar i joni, përkushtim dhe prioritet kryesor i imi është mbrojtja e qytetarit. Të gjitha bizneset që merren me shitjen e karburanteve ët naftës në Republikën e Kosovës duhet t’i plotësojnë kriteret bazë me qëllim që qytetarëve tonë t’iu ofrojmë naftë sa më cilësor. Deri më tash në Kosovë, kompanitë, shoqëritë tregtare, nuk kanë qenë të obliguara t’i pastrojnë rezervuarët e tyre. Qe 20 vite në Kosovë ka kompani që kurrë nuk i ka pastruar rezervuarët e vet, e ne të gjithë si qytetarë të Republikës jemi furnizuar nga ato shoqëri tregtare”, thotë ai.

Ai thotë se edhe ato kompani që kanë bërë pastrimin e rezervuarëve më parë, nuk e kanë bërë në mënyrën e duhur. Për këtë, ai tha se udhëzimi i ri administrativ vendos kritere të standardeve të Bashkimit Evropian.

Shala: Udhëzimi i ri administrativ vendos kritere të Bashkimit Evropian

“Ju e dini se  kemi pasur edhe raste të humbjes së jetës gjatë procesit të pastrimit të rezervuarëve. Ky udhëzim i ri administrativ vendos kritere të standardit të BE-së. Pikë së pari garanton shëndetin e punëtorëve, të cilët merren me pastrimin e rezervuarëve, cilësinë e karburanteve të cilat do t’i shiten qytetarëve tonë dhe njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit”, sqaron Shala.

E vendimi i Shalës po kundërshtohet nga Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës (ShQNGL), shoqatë kjo që sot ka mbajtur mbledhjen e Kuvendit për të diskutuar pikërisht për këtë çështje.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, bënë të ditur për KosovaPress se nuk janë kundër pastrimit të rezervuarëve, porse janë kundër që kjo të bëhet çdo tre vite.

Ai kërkon nga ministri në detyrë që të tërheq sa më parë vendimin për pastrimin e rezervuarëve.

Berjani: Ministri Shala të tërheq sa më parë vendimin për pastrimin e rezervuarëve

“Ne si shoqatë e kundërshtuam dhe e kundërshtojmë këtë vendim... Janë 3 mijë rezervuarë në Kosovë, llogarite çfarë leverdie është për dikë. Unë mendoj se pastrimi i rezervuarëve duhet të bëhet sipas standardeve të BE-së. Ne nuk jemi kundër pastrimit të rezervuarëve, ne jemi pro standardeve të BE-së. Kjo është kërkesa jonë dhe ministri duhet ta tërheq këtë vendim sa më parë”, thekson Berjani.

Sipas naftëtarëve, cilësia e naftës duhet të kontrollohet në kufi.

Tahir Zogaj, drejtor financiar në Shell e quan të paarsyeshëm vendimin e ministrit Endrit Shala, sidomos për faktin se ka ardhur në një kohë kur ky i fundit është ministër në largim.

Sipas tij, me këtë vendim të ministrit në dorëheqje, Endrit Shala, krahas bizneseve, ngarkohen edhe klientët dhe ndryshon kosto e derivateve.

Zogaj thotë për KosovaPress se cilësia e naftës nuk varet nga pastrimi i rezervuarëve.

Zogaj: Udhëzimi administrativ ndikon në koston e derivateve

“Pastrimi i rezervuarëve nuk është dëm për naftëtarët, por është udhëzimi administrativ i dëmshëm. Sepse me uzansa  ndërkombëtare, parashihet çdo 10 vite të bëhet pastrimi i rezervuarëve, jo në tri vite, por mbi 10 vite. Kjo ndikon në koston e çmimit të derivateve, e ngarkon vet klientin, i cili është i fundit që paguan sepse çdo ndërhyrje e shtetit në shtimin e taksave, ndikon në klientin i cili e paguan produktin. Ne kemi kundërshtuar sepse është një qeveri e paprecedent në Kosovë, është një qeveri që vet ka dhënë dorëheqje”, thotë Zogaj.

E naftëtari Behadin Rexhepi, i cili propozoi që ndaj ministrit Shala të ngritet një padi, për shkak të ngarkesës që u ka shkaktuar bizneseve me vendimin për pastrimin e rezervuarëve, thotë se ky vendim nuk është bërë për të ngritur cilësinë e naftës, porse për interesa të grupeve të caktuara.

Rexhepi: Këtu janë grupet e interesit për të lënë një biznes prapa

“Jemi për me e kontrollu cilësinë, mirëpo jo edhe -të bëjmë ne pagesa, kur të don ai me ardhë me e bë një kontrollim. Çdo kontrollim na kushton neve 400 euro, kështu që kjo është e papranueshme. Nuk jemi kundër kontrollimit, le të vijnë çdo herë aty. Mirëpo, këtu janë grupet e interesit që me e lënë edhe nga një biznes prapa. Kjo është ajo që këta e bëjnë. Është shumë interesant që ne t’i bëjmë një padi ministrit që e ka nënshkruar këtë udhëzim administrativ dhe të tjerët të mos gabojnë më kështu”, shprehet Rexhepi për KosovaPress.

Kurse, Jakup Gashi nga laboratori Sierra Lab thotë se një vendim i tillë duhet përshëndetur, pasi që bazohet në mbrojtjen e konsumatorëve dhe në direktivat evropiane.

Ai kujton se ligji i naftës është që nga viti 2009 dhe nuk arrin akoma të ndryshohet.

“Janë standarde sipas të cilave përcaktohet vendosja e rezervuarëve si dhe kushte teknike të cilat do të duhen respektuar. Kosova ka synim anëtarësimin në BE dhe ne duhet gradualisht t’i përshtatemi kërkesave të Bashkimit Evropian sa i përket kësaj fushe, pastrimin e rezervuarëve, deponive , kontrollit të cilësisë, verifikimin e sasisë, rezervuat shtetërore etj. Të gjitha këto janë kërkesa nga BE dhe si të tilla duhet implemetuar... Qeveria, gjegjësisht ministria përkatëse duhet të ketë guxim për të ndërmarrë hapa duke i ikur presioneve të ndryshme për të rregulluar këtë fushë mjaft problematike”, thotë ai në një përgjigje për KosovaPress.

Kujtojmë se ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar dje udhëzimin administrativ që obligon kompanitë që shesin derivate t’i pastrojnë rezervuarët çdo 3 vjet. Kjo i obligon shoqëritë tregtare që të paguajnë shumën në vlerë prej 700 euro sa herë që bëjnë pastrimin e tyre, ndërsa në Kosovë ka gjithsej 3 mijë e 500 rezervuare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat