Ekonomia gjermane lëkundet, po vjen recesioni?

Evropë

Ekonomia gjermane lëkundet, po vjen recesioni?

Më: 14 janar 2019 Në ora: 06:35
Eksportet gjermane ranë në vitin 2018

Jemi mësuar me një imazh të Gjermanisë këto vite: Ky vend ka bum ekonomik, të ardhurat nga tatimet rriten gjithmonë. Por kohët e fundit po shtohen shenjat se ekonomia gjermane po e humb hovin e viteve të fundit.

Disa herë në muajt e kaluar prognozat e rritjes ekonomike gjermane u korrigjuan për poshtë, indikatorë të rëndësishëm tregojnë po ashtu një tendencë rënieje, së fundmi mjaft qartë. Në dhjetor, indeksi i ifos- një nga barometrat më të rëndësishëm të ekonomisë gjermane ra për të katërtën herë, madje ndjeshëm. Instituti Ekonomik i Mynihut, Ifo ka pyetur 9000 menaxherë se si e shohin gjendjen në gjashtë muajt e ardhshëm.

„Kemi një sërë rreziqesh politike para nesh, duke filluar me grindjen tregtare SHBA-Kinë, Brexit-in, deficitin buxhetor italian, si edhe kthesën e Francës së fundmi nga reformat", është shprehur kryekonomiste i LBBW, Bankës së Landit Baden-Württemberg, Uwe Burkert. Edhe ekonomisti i bankës Deka, Andreas Scheuerle thotë se „në të njëjtën kohë shohim revizionimin e prognozave koniunkturore, po ashtu procesi i Brexit po bëhet gjithnjë e më kaotik. Kësaj i shtohen protestat në Francë në dhjetor, partneri i dytë më i madh tregtar i Gjermanisë."

Image
Grindja tregtare SHBA-Kinë shqetësuese

Frika nga lufta tregtare

Pavarësisht se si përfundon grindja tregtare mes SHBA e Kinës dhe SHBA e BE, ajo ka për të pasur efektet e saj në ekonominë gjermanë. Politika tregtare e Donald Trumpit, „America first" e vë para vështirësisht modelin ekonomik gjerman të orientuar nga eksporti. Ky model është i varur nga tregtia e lirë dhe zinxhirët funksionues ndërkombëtarë të furnizimit. Nuk të habit rezultati i një sondazhi të Institutit Ekonomik Gjerman, IW në Köln, ku vetëm 7 nga 48 shoqata të degëve të ekonomisë janë optimiste për të ardhmen. Në fund të vitit 2017 ishin 28 syresh mjaft optimiste.

Image
Pengesa tjetër - kaosi i Brexit

E kërcënon ekonominë gjermanë pas një faze të gjatë rritjes ekonomike recesioni? Në tremujorin e tretë të vitit 2018 fuqia ekonomike gjermane ra me 0,2 %, të gjithë presin me interes shifrat e tremujorit të fundit që Zyra Federale e Statistikave publikon më 14 shkurt. Sepse nëse në dy tremujorë njëri pas tjetrit bie prodhimi i përgjithshëm bruto i vendit atëherë flitet zyrtarisht për recesion ekonomik.

"Kohët e mira kanë marrë fund"

Megjithatë kreu i Institutit të Ekonomisë gjerman, Michael Hüther paralajmëron në bisedë me Deutsche Welle nga paniku. „Ka më shumë rërë zhurmuese nëpër motorë, por nuk ka ngecje të plotë të tyre", shprehet ai figurativisht. Megjithatë dyshimet rriten. Dieter Kempf, president i Shoqatës së Industrisë Gjermane, BDI është pjesë e kampit të pesimistëve. „Kohët e mira kanë marrë fund", tha ai gjatë një konference për ekonominë, sepse rreziqet globale dhe pasojat e tyre që ishin të ndjeshme në muajt e kaluar vazhdojnë të ekzistojnë ende.

Re mbi sipërmarrjet gjermane sjell edhe konflikti me SHBA dhe Brexiti pa marrëveshje. Shumë ekspertë janë të mendimit, se koniunktura gjermane e ka arritur zenitin e saj. Të dhënat e fundit zhgënjyese në porositë industriale, prodhimin nuk mund të injorohen për një kohë të gjatë.

Image
Eksportet gjermane ranë në vitin 2018

Edhe eksportet kanë shënuar rënie. Në nëntor eksportuesit gjermanë shitën jashtë 0,4% më pak mallra se në muajin paraardhës. Importet ranë me 1,6%. Të dyja shifra më të dobta se parashikimet. Kreu për eksportet i ekonomisë gjermane tek DIHK, Volker Treier konstaton se tregtia e jashtme dhe investimet ndërkombëtare po frenohen gjithnjë e më shumë. Bilanci ekonomik gjerman po dobësohet edhe nga situata jo e mirë e industrisë së automobilëve që lufton me krizën e automjeteve me naftë dhe procedurave të reja për testimin e gazrave ndotës (WLTP).  Prodhuesit gjermanë të automjeteve e shkurtuan prodhimin në nëntor, për herë të tretë, kjo për shkak të rënies së porosive.

„Ekonomia botërore ndodhet në gjendje të vështirë", thotë ekonomisti i Bankës Botërore, Ayhan Kose. „Qielli po vranësohet dhe shohim një dobësim global, rreziqet rriten." Ende rritja globale reziston,"por nëse do ta vijë stuhia, varet në masë të madhe nga reagimi i politikës."  Jörg Krämer, kryekonomist i Commerzbank kërkon ruajtjen e gjakftohtësisë. „Nuk besoj tek të gjitha këto, megjithëse i kuptoj shqetësimet. Por frika për një recesion ekonomik është e ekzagjeruar."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat