Zëdhënësi i Kremlinit arsyeton punën e vajzës së tij në Parlamentin Evropian

Evropë

Zëdhënësi i Kremlinit arsyeton punën e vajzës së tij në Parlamentin Evropian

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 20:46
Yelizaveta Peskova.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka arsyetuar praktikën e vajzës së tij në Parlamentin Evropian, pasi raportimi i Radios Evropa e Lirë, për vajzën e tij, ka ngritur shqetësime në mes të ligjvënësve.

“Jemi duke diskutuar për një studente normale dhe një praktikë normale”, ka thënë Peskov, i cili ka qenë zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin për disa vjet.

Yelizaveta Peskova, 21 vjeçare, punon për anëtarin francez të Parlamentit Evropian, Aymeric Chauprade, i cili ka mbështetur hapur vendimin e Rusisë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014.

Emri i Peskovas paraqitet në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian dhe Chauprade ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ajo është pjesë e ekipit të tij.

“Kjo ka të bëj me vajzën time, jo me detyrat dhe punën time”, ka thënë Peskov kur është pyetur për këtë çështje në një konferencë me gazetarë.

Disa anëtarë të Parlamentit Evropian, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë më parë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni se vajza e zyrtarit rus është duke punuar në këtë institucion.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka cituar Chauprade të ketë thënë se Peskova dhe praktikantët tjerë nuk kanë qasje ne dokumentet konfidenciale.

Ai ka kundërshtuar kritikat e bëra nga kolegët tij në Parlamentin Evropian, duke i cilësuar ato si “rusofobi konspirative”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat