Kryeministrja britanike zotohet se nuk do ta shtyjë Brexitin pas 30 qershorit - Bota Sot
Kryeministrja britanike zotohet se nuk do ta shtyjë Brexitin pas 30 qershorit

Evropë

Kryeministrja britanike zotohet se nuk do ta shtyjë Brexitin pas 30 qershorit

Më: 20 mars 2019 Në ora: 15:18
Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May, i ka nisur një kërkesë zyrtare presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk për shtyrje të Brexitit, proces i cili ishte planifikuar të fillonte më 29 mars.

Kryeministrja u ka thënë ligjvënsve britanikë se “ajo nuk është e përgatitur për të shtyrë Brexitin më gjatë se 30 qershori”.

Përveç tjerash, ajo ka thënë se dëshiron që Britania të mos marrë pjesë në zgjedhjet evropiane.

Në letrën drejtuar Tusk, kryeministrja britanike ka thënë se ka kërkuar që të kthejë sërish në Parlamentin britanik planin e saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian, mirëpo është penguar nga kryeparlamentari, John Bercow.

Megjithatë, ajo ka thënë se “qëllimi saj është që të rikthejë sërish marrëveshjen në Parlament”.

Në rast se ky dokument miratohet, ajo ka thënë se Parlamentit do t’i duhet më shumë kohë për ratifikim, andaj do të dëshironte të zgjaste Artikullin 50, që përcakton procesin e largimit të Britanisë nga blloku evropian, deri më 30 qershor.

Përveç kësaj, May do të niset drejt Brukselit të enjten për të marrë pjesë në një samit të Këshillit Evropian, në të cilin do të diskutohet ideja e shtyrjes së Brexitit, proces për të cilin duhet të ketë pajtueshmëri mes 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Aktualisht duket se në Britani nuk ka ide të qartë për lidhjen që do të ketë ky shtet në të ardhmen me BE-në.

Çështja kryesore e diskutimit mbetet kufiri me Irlandën dhe ndikimi që ai mund të ketë në rrafshin ekonomik pas 29 marsit.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...