Kursi i lëkundshëm i Europës për të ardhmen e Libisë - Bota Sot
Kursi i lëkundshëm i Europës për të ardhmen e Libisë

Evropë

Kursi i lëkundshëm i Europës për të ardhmen e Libisë

Më: 24 prill 2019 Në ora: 12:35
Libi

Faktikisht BE e njeh qeverinë e Tripolit, por nuk është e qartë nëse edhe Franca e bën këtë. Demostruesit kërkojnë që Franca t' i japë fund përzierjes në Libi. Gjeneral Haftari vazhdon marshimin.

Në politikën e jashtme çdo fjalë ka rëndësi dhe nganjëherë më shumë rëndësi kanë fjalët që nuk thuhen. Pikërisht kjo ndodhi këtë javë, kur gjenerali libian Chalifa pushtoi selinë e qeverisë së unitetit në Tripoli, të njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe e ngarkuara e BE me politikën e jashtme Federica Mogherini, bëri deklaratën e parë publike. Sulmi i "Ushtrisë Kombëtare Libiane", (LNA) të drejtuar nga gjenerali përbën rrezik për njerëzit në vend si dhe për procesin e paqes, të drejtuar nga Kombet e Bashkuara. Mogherini i bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve për të ulur armët, por ajo nuk e përmendi emrin e Chalifa Haftarit. (Disa ditë më vonë ajo e përmendi atë në një fjalim të mbajtur para Parlamentin Europian).

Franca rast i veçantë

Shumë raportime nuk lënë dyshim pse emri i Haftarit nuk u përmend në dokument. Franca e ka penguar përmendjen e emrit të tij. Ish-gjenerali i ushtrisë është përgjegjës për ndarjen e Libisë, që kur ka shpërthyer lufta civile më 2014, sepse ai bashkë me LNA të përqëndruar në qytetin bregdetar Tobruk, nuk e njeh qeverinë e unitetit në Tripoli. LNA dhe bashkë me të edhe Haftari nuk janë të legjitimuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, megjithatë më 2017 presidenti francez Emmanuel Macron e pati ndihmuar rivlerësimin diplomatik të kryekomandantit. Në kuadër të përpjekjeve për të zgjidhur konfliktin në Libi, Macroni i ftoi të dy pushtetmbajtësit rival në Paris dhe zhvilloi bisedime konfidenciale me ta.

Macron pati dhënë një lajm që kishte rëndësi për të, se Al-Sarradsh dhe Haftari janë dakord për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Deri tani kjo nuk ka ndodhur. Franca ka përgjegjësi të veçantë, sepse ka qenë forca shtytëse për ndërhyrjen ushtarake më 2011-n. Bombardimet e aleatëve të drejtuara nga Franca çuan në rrëzimin e pushtetmbajtësit libian Muammar al- Gaddafi dhe krijimin e vakumit të sotëm në vendin afrikano-verior.

Image
Emmanuel Macron takohet me rivalët Fayes al Sarraj dhe Khalifa Haftar, 2017

Pushteti i Haftarit

Pas Macronit, Haftar u takua edhe me politikanë të tjerë të huaj. Me kalimin e kohës gjenerali ishte në gjendje të zgjeronte pushtetin e tij në qetësi dhe pa bërë zhurmë, duke bërë për vete një seri grupesh të vogla të popullsisë, që supozohet t'i ketë paguar me ndihmën financiare të Rusisë dhe disa shteteve të Gjirit.

Para disa javësh u bë e ditur se ai është duke kontrolluar burime të rëndësishme të naftës në vendin e tij. Për Francën ka rëndësi gjeopolitike jo vetëm nafta, por edhe rajoni jugor, sepse ngjitur me to ndodhen ish-kolonitë franceze Çadi dhe Nigeria. Nëqoftëse Franca ishte e interesuar vetëm që Haftar të ketë karta më të mira në dorë për të stabilizuar Libinë, atëherë përkrahja e tij është e logjikshme.

Pozita zyrtare e Francës është tjetër. Të premten e Pashkëve Pallati Elysé bëri të qartë se: "Franca përkrah qeverinë legjitime të kryeministrit Fajis al-Sarradsh dhe ndërmjetësimin e OKB". Por shumë vetë e kanë të vështirë ta besojnë këtë, duke filluar me qeverinë e unitetit në Tripoli. Para deklaratës franceze, ministri libian i Brendshëm Fathi Bach Agha akuzoi Francën se përkrah "Haftarin kriminel". Qeveria e bashkimit ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Parisin dhe qindra vetë demostruan gjatë fundjavës në Tripoli kundër Francës dhe Haftarit.

Image
Gjeneral Haftari në Moskë, gusht 2017

Ministri italian i Brendshëm, Matteo Salvini, ekstremist i djathtë nuk ka pasur kurrë fërkime me Francën, megjithatë e akuzoi atë për bashkëpunim të hapur me Haftarin. Italia e quan veten "fqinj" verior të ish-kolonisë, Libisë. Që kur Libia është bërë burim për migrantët frikanë në rrugën e tyre drejt Europës, Roma ka filluar të tregojë interes të veçantë për të krijuar marrëdhënie të rregullta me Libinë.

Kërkohet ndërhyrja e Gjermanisë

Qeveria gjermane duhet "të bëjë gjithçka që t' i sjellë në një linjë të përbashkët italianët dhe francezët," thotë zëdhënësi për politikën e jashtme të fraksionit të Të gjelbërve në parlamentin gjerman, Omid Nouripour, në një intervistë për Deutsche Wellen. "Francezët duhet ta kuptojnë se brenda Bashkimit Europian duhet bërë balancimi i interesave," thotë Nouripour. "Nëse kemi të bëjmë me gjetjen e një linje të përbashkët në Libi, duhet që francezët dhe italianët të gjejnë një zgjidhje që i merr parasysh interesat e të dy palëve". Është detyrë e qeverisë gjermane që t'ia bëjnë të qartë këtë miqve francezë, thotë deputeti i Të gjelbërve.

Image
Luftime në Libi midis trupave qeveritare dhe trupave të gjeneralit Haftar

Gjermania që mban kryesinë e Këshillit të Sigurimit të OKB gjatë këtij muaji ka një rol të veçantë në administrimin e konflikteve ndërkombëtare. Franca e kishte në mars kryesinë dhe për të treguar lidhjen e veçantë që kanë të dy vendet e ndanë kryesinë e Këshillit të Sigurimit së bashku.

Në çështjen e Libisë duket se të dy vendet janë duke u mbajtur për fijes së flokut. Kancelarja gjermane Angela Merkel e dënoi marshimin e gjeneralit Haftar. Megjithatë Gjermania duhet të punojë që Franca të përdorë ndikimin që ka mbi Haftarin, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet, thotë Nouripour.

Në Këshillin e Sigurimit dështimi vjen prej të tjerëve

Duke qenë kryetare Gjermania bëri që Këshilli i Sigurimit të OKB të merret me gjendjen në Libi. Një takim urgjent i mbajtur të enjten e kaluar u mbyll pa marrë ndonjë vendim të përbashkët. Jo për shkak të Francës, por të vetove të ngritura nga Rusia dhe SHBA. Agjencia e lajmeve, Reuters, mësoi prej diplomatëve se Rusia nuk donte të bënte përgjegjës Haftarin, kurse SHBA nuk shpjegoi arsyen e vetos.

Megjithatë qeveria amerikane tha se presidenti Trump pati folur në telefon me Haftarin duke vlerësuar rolin e tij në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e rezervave libiane të naftës. Në bisedë u bë fjalë për "një vizion të përbashkët" për kalimin e Libisë në një demokraci stabile, u tha nga Shtëpia e Bardhë./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...