Europa ime: Rebelimi i masave 2.0

Evropë

Europa ime: Rebelimi i masave 2.0

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 13:38
Ivaylo Ditchev

Revolucioni francez rrëzoi aristokracinë, revolucioni i mëndafshtë sistemin sundues komunist. Sot masat digjitale po ngrihen kundër bastionit të fundit të pabarazisë: fuqisë të ekspertëve.

Në një botë të globalizuar, që bëhet gjithnjë e më komplekse, është gjithnjë e më e vështirë të mbështetësh tiraninë e ekspertizës. Shikoni BE: Vetëm pak qytetarë mund ta kuptojnë punën e komplikuar të makinerisë së tij, bashkërendimin e lidhjeve nacionale dhe politike, të lobimit dhe të marrëdhënieve. Nga konfuzioni dhe indinjimi lind figura fantastike e burokratit të BE-së, që është gjithmonë i zënë duke matur këndin e përkuljes së kastravecave,

Ai s'ka nevojë t‘i japë llogari askujt, i komplikon gjërat, deformon ligjin dhe xhonglon me nocionet, që të mashtrojë qytetarët e ndershëm. Zgjidhja e populistëve është gjithmonë më e thjeshta: Çlirohuni nga këta nëpunës parazitë. „Europa e mendjes së shëndoshë" e Salvinit duket si një premtim, që e redukton kompleksitetin e jetës në këshilla të jetës së përditshme.

Natyrisht që politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të jenë njerëz normalë si ne. Pastaj ata duhet të punësojnë specialistë, që t'i mbështesin. Por kufiri midis politikës dhe ekspertizës duket i paqartë. Elitat shkojnë në të njëjtat shkolla, flasin të njëjtën gjuhë, kanë të njëjtën mënyrë të privilegjuar jetese. Para 50 vjetësh parlamentet kombëtare ishin shumë më të përziera, përsa i përket origjinës sociale. Sot zakonisht100 përqind e deputetëve kanë një diplomë universitare prestigjioze – ashtu si edhe ekspertët e përzgjedhur. Pak nga pak politikanët dhe ekspertët shihen si pjesë e së njëjtës turmë fodullësh. Përballë kësaj lind ekuivalenti tjetër, që ndërlidh njeriun e thjeshtë dhe politikanin populist. Të dy të ndershëm, zemërgjerë, autentikë.

Besimi në rrjetet sociale

Kryengritja e masave 2.0. Sot masat digjitale po ngrihen kundër bastionit të fundit të pabarazisë: pushtetit të ekspertëve. Revolucioni francez rrëzoi aristokracinë, revolucioni i mëndafshtë sistemin sundues komunist. Sot masat digjitale po ngrihen kundër bastionit të fundit të pabarazisë: pushtetit të ekspertëve.

Promovimi i amatorit nisi në fushën e medias, ku arritjet digjitale ua mundësuan përdoruesve të zakonshëm, që t'i komentojnë, vlerësojnë, t‘i shpërndajnë e t‘i ngarkojnë videot. Teknologjia Web-2.0 hapi rrugën e një interaksioni me gazetarinë profesioniste. Papritur këtu u krijua një mundësi e re për përdoruesit, që të prodhojnë përmbajtje, pa qenë nevoja të kontrollohen apo verifikohen nga instanca më të larta. Besimi u spostua nga mediat tradicionale në rrjetet sociale, ku „shoku" shfaqet pranë gazetës „Guardian".

Sa të frymëzuar ishim nga Whistleblower, që ia arritën të anashkalonin censurën në Kinë dhe Egjipt. Doli se aktiviteti i tyre destruktiv nuk ndalet para kufijve të diktaturave. Papritur ndodheshim në një botë, ku hungarezët besonin se Sorosi u dërgonte emigrantët, ku bullgarët besonin se „gender" është një demon, që do të ndryshojë gjininë e fëmijëve të tyre, dhe ku francezët djegin makinat për të protestuar kundër planit të supozuar të Makronit për t‘ia shitur gjermanëve Alzasën.

„Rebelimi kundër ekspertëve" (Steven Hawking) shkon përtej gazetarisë. Investiguesit amatorë, të pajisur me aplikacionet përkatëse, bëjnë analiza spektrale të flakëve në Kullat Binjake për të dëshmuar se qeveria ka futur gjoja që më parë eksplozivë në to. Të tjerë studjojnë demografinë afrikane ose lexojnë pjesë nga artikuj mjekësorë për të ҫmistifikuar efektin gjoja dëmtues të vaksinave. Një sport popullor i kohës së lirë në Ballkan është bërë lufta kundër historianëve profesionistë, të cilët gjoja neglizhojnë me dashje faktet e fshehura, (në fakt ata janë gjithnjë në dispozicion online), të cilat dëshmojnë për lavdinë e kombit.

Shkrimtarja kroate Dubravka Ugrešić e ka quajtur fenomenin "kulturë-karaoke": Një kulturë e mysafirëve gazmorë, që këndojnë keq të shoqëruar me muzikë playback, për të patur famë15 minuta. Por karaokja bashkëkohore nuk është aq spontane sa duket. Janë politikanët populistë ata, që vendosin tonin. Qëillimi i tyre është t‘ua kundërvënë masat digjitale elitave të urryera. Shpresojmë që intelektualët të mos dërgohen në internim , siҫ bënin komunistët në kohën e tyre. Ata mund të kthehen thjesht në të dalë mode, një pengesë për logjikën e shëndoshë revolucionare, që i bashkon udhëheqësin dhe pasuesit e tij.

Gjuhë vulgare, thjeshtëzime naive

„Njerëzit në këtë vend janë ngopur me ekspertë", është thënia e famshme e ish ministrit britanik të Drejtësisë dhe mbështetësit të Brexitit, Michael Gove. Trump, Orban und Erdogan sulmojnë vazhdimisht shtypin profesionist. Ata e urrejnë drejtësinë bezdisëse, anashkalojnë këshilltarë, forume, agjenci të pavarura dhe organizata joqeveritare. Duke përdorur pandërprerë twiterin, populisti Trump komunikon direkt me shpirtin e popullit.

Ndryshimi i pozicioneve ideologjike, që zakonisht kritikohet nga ekspertët, krijon lidhje emocionale me njerëzit e zakonshëm, pasi stabiliteti, konstantja në jetën e përditshme nuk është patjetër i pranishëm. A i kujtohet kujt se Lega Nord ka qenë parti secesioniste dhe se Bosi thoshte se flamuri italian e ka sëmurur? Që Le Pen donte të dilte nga euroja dhe nga NATO? Populistët e rinj fitojnë zemrat e njerëzve me gjuhë vulgare, thjeshtëzime naive dhe humor të vrazhdë. Ajo që më bie në sy nga videot në Ibiza, në të cilat Strache tregohet i gatshëm të shesë vendin e tij, është mënyra e vrazhdë e papërgjegjshme se si do ta bëjë. Politikani bullgar i ekstremit të djathtë Siderov e komentoi zgjedhjen e konkurrentit të tij Djambaski duke e quajtur atë qarraman. Kjo duket se e argëton publikun e Siderovit.

Në vend që të përpiqen që të bëjnë dicka kundër rebelimit të masave, populistët vihen në krye të tij dhe e përforcojnë mërinë e luftën e klasës kundër elitave. Parimeve universale të diturisë dhe drejtësisë i kundërvënë patriotizmin lokal dhe autonominë. Ata e dinë se aktivitetet e tyre të dyshimta kontrollohen shumë më pak, sapo të heqin qafe ekspertët. Po, qytetarët mund t'i mbanin nën kontroll, por për fat të keq duket se ata janë të zënë me këngën e tyre karaoke.

Ivaylo Ditchev është profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ka dhënë leksione ndër të tjera edhe në universitetet gjermane, franceze dhe në SHBA./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat