Moldavia ka qeveri të re me një koalicion befasues pro-rus dhe pro-BE - Bota Sot
Moldavia ka qeveri të re me një koalicion befasues pro-rus dhe pro-BE

Evropë

Moldavia ka qeveri të re me një koalicion befasues pro-rus dhe pro-BE

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 23:57
Maia Sandu

Moldavia ka një qeveri të re pasi dy grupet rivale u pajtuan që të formojnë një koalicion dhe të rrëzojnë Partinë Demokratike të biznesmenit me ndikim, Vladimir Plahotniuc.

Vendi mbajti zgjedhjet në muajin shkurt por ato nuk sollën qeveri. U mendua se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjidhja e vetme për të hapur rrugën deri në arritjen e befasishme të një koalicioni të minutave të fundit mes Partisë Socialiste dhe grupit anti-korrupsion, pro-BE, ACUM, të udhëhequr nga Maia Sandu dhe Andrei Nastase, raporton “Politico”.

Sandu, ish-drejtore e Bankës Botërore dhe ish-ministre e Arsimit, u zgjodh në postin e Kryeministres nga deputetët të shtunën pasdite.

Pas betimit të Qeverisë së re, Presidenti i vendit, Igor Dodon, nga Partia Socialiste, bëri thirrje për “pjekuri politike” dhe për “transferim paqësor të pushtetit”. Gjykata Kushtetuese e vendit vendosi se koalicioni i ri është i pavlefshëm, ndonëse nuk dihet ende se çfarë efekti do të ketë në qeverinë e re, nëse do të ketë ndonjë.

Koalicioni tha se u formua për të hequr qafesh oligarkinë e Moldavisë, një referencë direkte ndaj lidershipit të Plahotniucit, që është kritikuar gjerësisht nga shoqëria civile dhe nga BE-ja për mungesë transparence, për korrupsion dhe administratë të dobët.

“Diktatori ka rënë. Regjimi i oligarkëve është në opozitë që nga sot”, tha Sandu, duke iu referuar Partisë Demokratike dhe Plahotniucit, i cili nuk kishte ndonjë post zyrtar në qeveri por kishte ndikim përmes lidershipit në parti. “Sot nisim procesin e pastrimit të Moldavisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë”.

Në mesin e hapave të parë të qeverisë së re do të jetë hetimi i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, tha ajo.

“Nuk do të bëjmë kompromise me interesat e qytetarëve. Ata që ndërtuan regjimin e terrorit do të gjykohen drejt dhe pa hezitim”.

Ajo tha se Moldavia do të kërkojë rilindjen e marrëdhënieve me BE-në.

BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia, që të tria shfaqën mbështetjen e tyre ndaj koalicionit të saj.

Por jeta në qeverinë e re me socialistët pro-rusë dhe me marketerët e lirë pro-BE, nuk do të jetë e lehtë, pranoi Sandu. “Ka dallime mes forcave politike në koalicion. Nuk mund të jemi të sigurt për kohëzgjatjen e kësaj aleance”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Plahotniucit tha se aleanca ishte jolegjitime, duke iu referuar këtij veprimi si “puç” dhe “tradhti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...