Autoritetet policore në Britani të Madhe pritet të vendosin nëse do ta hetojnë kryeministrin Boris Johnon për vepër të mundshme kriminale në kohën kur ishte kryetar i Londrës.
Dyshohet se ai e ka trajtuar me favore biznesmenen Jennifer Arcuri për shkak të miqësisë që kanë mes vete. Hetimin e këtij rasti e kërkoi Autoriteti i Lartë i Londrës.
Vetë kryeministri ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje, ndërsa një burim qeveritar tha se paraqitja e rastit në polici është veprim i motivuar politikisht.
Dyshimet e para lidhur me miqësinë e kryeministrit me biznesmenen e teknologjisë u ngritën fundjavën e kaluar nga gazeta “Sunday Times”. Kjo gazetë shkroi se zonja Arcuri ishte bërë pjesë e misioneve tregtare, të cilat udhëhiqeshin nga Johnsoni-i në kohën kur ai ishte kryetar i Londrës.
Për më tepër, besohet se kompania e saj i kishte marrë mijëra funte përmes granteve të sponzorizimit.
Zyrtari monitorues i Autoritetit të Lartë Londinez, detyra e të cilit është përcjellja e punës së kryetarit të qytetit dhe kabinetit të tij, tha se i ka dërguar letër zyrës së pavarur policore lidhur me veprimet e kryeministrit.
Qeveria britanike reagoi përmes një deklarate ndaj kësaj nisme. Në deklaratë, mes tjerash, thuhet: “Kryeministri, si kryetar i Londrës, ka bërë punë të madhe gjatë reklamimit të qytetit tonë nëpër botë”, shkruan “BBC”.