Presidenti ukrainas s’premton publikim të bisedës me Trump-in

Evropë

Presidenti ukrainas s’premton publikim të bisedës me Trump-in

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 15:42
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se ka pak gjasa që qeveria e tij ta publikojë transkriptimin e bisedës telefonike të 25 korrikut me homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Duke folur para gazetarëve gjatë tubimit në një bazë ushtarake afër Kievit, Zelensky tha se do të ishte gabim të publikohet transkriptimi i bisedës telefonike.

“Para se të vija në këtë post, kurrë nuk kam qenë diplomat, por mendoj se kam pasur shumë biseda të tilla në jetën time dhe do të kem edhe në të ardhmen. Mendoj se nuk është korrekte të publikohen disa gjëra”, tha ai.

I pyetur nëse Ukraina do të nisë hetime kundër Joe Biden-it dhe djalit të tij në bazë të kërkesës së presidentit amerikan, Zelensky tha se vendi i tij nuk ndërmerr veprime ekskluzivisht në bazë të urdhrave të shteteve të tjera.

“Ne nuk mund të urdhërohemi të bëjnë ndonjë gjë. Ne jemi vend i pavarur. Jemi të gatshëm për hetime, por ky rast nuk ka të bëjë asgjë me mua”, tha presidenti ukrainas.

Ndryshe, Shtëpia e Bardhë javën e kaluar e publikoi një përmbledhje të bisedës mes dy presidentëve. Në këtë bisedë, presidenti amerikan kishte kërkuar nga homologu i tij ukrainas që t’i fillojë hetimet kundër rivalit politik, Joe Biden, dhe djalit të tij, i cili ishte pjesë e një kompanie të gazit në Ukrainë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat