Brexit-i do të ndodhë me marrëveshje?

Evropë

Brexit-i do të ndodhë me marrëveshje?

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 16:23
Një mbështetës i largimit të Britanisë nga BE-ja mban në duar një pankartë ku shkruan: “Ne kemi votuar që të largohemi”.

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar për një marrëveshje të të re për Brexit-in.

Marrëveshja mes dy delegacioneve është arritur para se të mbahet një takim i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Të dyja palët kanë punuar në tekstin ligjor të një marrëveshjeje, por do të ketë ende nevojë për miratimin e parlamenteve të Britanisë së Madhe dhe atij evropian.

Arritjen e marrëveshjes e konfirmoi kryeministri britanik, Boris Johnson, në rrjetin social Twitter.

"Ne kemi marrë një marrëveshje të re", shkroi Johnson.

Edhe presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, njoftoi për arritjen e marrëveshjes, duke thënë se negociatorët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe kanë arritur një marrëveshje që do të mundësojë daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

"Kur ka një vullnet, ka një marrëveshje dhe ne kemi një! Ashtë një marrëveshje e drejtë dhe e ekuilibruar për BE-në dhe Britaninë e Madhe", shkroi Juncker.

Afati për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është 31 tetori.

Deri më tash palët kanë pasur mosmarrëveshje kryesisht për shkak të kontrolleve në kufirin irlandez, pas Brexit-it.

Një marrëveshje e negociuar nga ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ishte refuzuar disa herë nga Parlamenti britanik.

Udhëheqësi i laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, tha se marrëveshja e re duhet të refuzohet nga ligjvënësit, pasi ajo duket se është “edhe më e keqe” sesa ajo që u negociua nga ish-kryeministrja May.

Detajet e marrëveshjes

Irlanda Veriore mbetet në zonën doganore të Britanisë së Madhe, por nën një sistem kompleks, por të gjitha procedurat e BE-së do të zbatohen atje për mallrat që mbërrijnë.

Nuk do të ketë kontrolle doganore në ishullin e Irlandës, pasi ato do të bëhen në porte.

Mallrat që shkojnë nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore nuk do t'i nënshtrohen tarifave.

Përfaqësuesit e Irlandës Veriore do të jenë në gjendje të vendosin çdo katër vjet nëse do të vazhdojnë të zbatojnë rregullat e Unionit.

Michele Barnier, shefi negociator i Bashkimit Evropian për Brexit, i tha BBC-së se pika e fundit, duke lejuar votimin në Asamblenë e Irlandës Veriore, ishte një "gur themel i marrëveshjes së re".

Reagime pas arritjes së marrëveshjes

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai kishte "lajme të mira për të filluar ditën".

"Marrëveshja tani duhet të shpjegohet teknikisht. Ajo do të finalizohet në orët e ardhshme. Për sa i përket mua, unë jam i kënaqur që ne e arritëm këtë dhe jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në Parlamentin britanik dhe Evropian", tha Macron.

Kryeministri finlandez, Antti Rinne, i tha Reuters se topi ishte në oborrin e shtëpisë së Parlamentit britanik.

Image
Kryeministri britanik, Boris Johson dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

"Shpresoj se do të kalojë këtë herë. Shpresoj se ne jemi afër fundit të procesit. Sidoqoftë, ka dyshime - për shembull brenda Parlamentit britanik", tha ai.

Ministri i Jashtëm i Irlandës ka mirëpritur marrëveshjen e re të Brexit, duke thënë se kjo është një 'hap i madh'.

"Kjo është një marrëveshje që përfshin të gjitha pyetjet që kemi bërë gjatë tre vjetëve të fundit. Është një marrëveshje që do të mbrojë njerëzit e këtij ishulli, do të mbrojë paqen dhe tregtinë e këtij ishulli", tha Simon Coveney.

Prokurori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Bashkuar tha që teksti i marrëveshjes ishte dukshëm i ndryshëm nga ai i arritur nga ish-kryeministri Theresa May dhe BE./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat