Belgjika dhe disa shtete të tjera evropiane po përgatiten që t’i evakuojnë personat e akuzuar për lidhje me ISIS-in nga kampet e ndalimit në pjesën verilindore të Sirisë përmes zonës së re të sigurisë, të krijuar nga forcat turke.
Zyrtarët belgë i informuan familjet e personave të ndaluar në dy kampe se do të përpiqen ta shfrytëzojnë armëpushimin pesëditor që t’i tërheqin nga zona e luftimeve të dyshuarit e akuzuar për lidhje me grupin terrorist. Gazeta “The Guardian” ka mësuar se edhe Franca dhe Gjermania po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë periudhë për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve.
Ndonëse vullneti i Britanisë për ta rishqyrtuar politikën e saj të injorimit të rreth 30 qytetarëve të ndaluar në Siri mbetet i paqartë, vendimi i aleatëve për të marrë masa pritet ta shtojë presionin ndaj qeverisë britanike që ta bëjë të njëjtën gjë.
Rojet kurde tashmë e kanë braktisur një qendër ndalimi, duke i lejuar rreth 800 persona të ndaluar, në mesin e të cilëve kishte edhe luftëtarë të ISIS-it, që të largohen të lirë nga kampi. Ministri i jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se nëntë gra franceze, të dyshuara për lidhje me ISIS-in, kanë ikur nga ky kamp. Besohet se nga ky kamp kanë ikur edhe dy britanikë.
Marrëveshja për armëpushim, e arritur mes presidentit turk, Rexhep Erdogan, dhe zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, u bë me qëllim që forcat kurde të largohen nga brezi kufitar mes Turqisë dhe Sirisë.
Ndonëse Forcat Demokratike Siriane thanë se janë duke u tërhequr nga e ashtuquajtura zonë e sigurisë, liderët e tyre paralajmëruan se nuk do të largohen nga pjesët tjera të provincës, shkruan “The Guardian”.