Vrasjet dhe korrupsioni po e rrezikojnë “Amazonën e Evropës” - Bota Sot
Vrasjet dhe korrupsioni po e rrezikojnë “Amazonën e Evropës”

Evropë

Vrasjet dhe korrupsioni po e rrezikojnë “Amazonën e Evropës”

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 11:01
Rumani

Vend i vargut më të madh të pyjeve të pastra në Evropë, Rumania dhe malet e saj janë bërë arenë e një vargu vrasjesh. Për to po fajësohet “mafia e maleve”, e cila po lufton kundër njerëzve që po përpiqen t’i mbrojnë këto ekosisteme të lashta.

Me rreth shtatë milionë hektarë sipërfaqe pyjore, ku rreth 500 mijë hektarë janë të mbuluar me pyje të vjetra, kjo “Amazonë e Evropës” është vendbanim për grupin më të madh të arinjve ngjyrë kafe në Evropë. Aty jetojnë edhe shumë ujqër dhe rrëqebuj.

Megjithatë, kjo natyrë e ruajtur, tashmë e kërcënuar nga prerja ilegale e pyjeve, gjendet në një betejë me dhunën dhe korrupsionin, duke e arritur kulmin me vrasjen e dy kalorësve të pyllit para pak kohësh.

Kalorësi i pyllit, Liviu Pop, u qëllua për vdekje para dy javësh përderisa ishte duke e hetuar një raport për prerje ilegale në Maramures në veri të Rumanisë. Baba i tre fëmijëve, Pop ishte personi i dytë që u vra për pak më shumë se një muaj. Në shtator, Raducu Gorcioaia u rrah për vdekje. Edhe ai i la pas tre fëmijë.

Këto vdekje duket se e kanë sjellë në qendër të vëmendjes përsëri këtë problem. Fundjavën e kaluar, rreth katër mijë njerëz protestuan në rrugët e Bukureshtit.

Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit, të cilët e organizuan këtë protestë, i kanë bërë thirrje qeverisë që t’i shtojë masat për mbrojtjen e pyjeve dhe për t’i dhënë fund dhunës, shkruan “Independent”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat