Bundestagu e kthen në detyrim mbrojtjen e klimës - Bota Sot
Bundestagu e kthen në detyrim mbrojtjen e klimës

Evropë

Bundestagu e kthen në detyrim mbrojtjen e klimës

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 09:51
Bundestagu

Për një kohë të gjatë, Gjermania ka luftuar për objektiva konkrete kursimesh për emetimet e gazrave serë. Tani Bundestagu miratoi Ligjin për Mbrojtjen e Klimës të Qeverisë Federale. Opozita është e pakënaqur me të.

Bundestagu e ktheu mbrojtjen e klimës në detyrim ligjor në Gjermani. Pas një mosmarrëveshjeje të gjatë në koalicionin qeveritar, Parlamenti vendosi synime konkrete të kursimit të gazit serë për sektorë të veçantë, siç janë energjia, transporti ose banesat.

Çdo ministri është përgjegjëse për arritjen e objektivave gjatë viteve të ardhshme. Me këtë synohet të garantohet që Gjermania të kursejë deri në vitin 2030 rreth 55 përqind të gazeve serë krahasuar me nivelet e 1990. Aktualisht, Republika Federale ka mbetur prapa objektivave të saj – deri tani, janë arritur vetëm rreth 30 përqind.

Bundestagu vendos taksa më të larta për biletat e linjave ajrore

Në total, për mbrojtjen e klimës në Gjermani do të shpenzohen rreth 54 miliardë euro deri në vitin 2023, pjesërisht të financuara nga të ardhurat nga karburantet fosile si vajguri, gazi, benzina dhe nafta.

Ndryshimet në ligjin e taksave synohet ta bëjnë udhëtimin me tren më të lirë dhe udhëtimin me avion më të kushtueshëm. Përveç kësaj, parashikohet që të lehtësohet në tatime izolimi i shtëpive dhe zëvendësimi i sistemeve të vjetra të ngrohjes me naftë. Këshilli Federal – përfaqësimi i 16 shteteve federale – ende duhet të japë pajtimin për pjesë të paketës.

E papërshtatshme …

Debati shoqërues u karakterizua përsëri nga dallime të rëndësishme midis qeverisë dhe opozitës. Anton Hofreiter, kryetari i grupit parlamentar të Gjelbërve, tha për qeverinë e koalicionit të CDU / CSU dhe SPD: “Ata kanë dështuar në detyrën njerëzore të mbrojtjes së klimës”. Ligji i miratuar është në rastin më të mirë joadekuat dhe në shumë pika kundërproduktiv.

Grupi parlamentar i Partisë E Majta tërhoqi vëmendjen për kritikat e shprehura nga shumë shoqata ambientaliste. Qeveria po e shkatërron politikën ndaj klimës, me ligje të hartuara keq, u shprehën përfaqësues të kësaj partie.

… apo antisociale?

Partia populiste e djathtë AfD, partia më e madhe e opozitës në Bundestag, e akuzoi qeverinë për një “histeri të klimës”. Ajo e quajti paketën e klimës “të padrejtë dhe antisociale”. Edhe FDP liberale u shpreh që ligjet do t’u kushtojnë shumë qytetarëve, në një kohë që ato nuk kanë dobi për klimën.

Folës nga radhët e koalicionit qeveritar i mbrojtën vendimet. Vendimtarja është që mbrojtja e klimës në Gjermani tani është fiksuar me ligj, u shprehën ata. Ndaj të Gjelbrit në veçanti përfaqësues të CDU/CSU dhe të SPD bënë thirrje që të mos pengojnë lehtësimet tatimore për ata që me sjelljen e tyre mbrojnë klimën./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat