Përplasje për Huawei, deputetët australianë anulojnë vizitën në Britani - Bota Sot
Përplasje për Huawei, deputetët australianë anulojnë vizitën në Britani

Evropë

Përplasje për Huawei, deputetët australianë anulojnë vizitën në Britani

Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 18:22
Foto

Një përfaqësi deputetësh të Australisë kanë anuluar një udhëtim të planifikuar në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa tensionet rriten për rolin e Huawei në ndërtimin e rrjetit 5G të Britanisë.

Ligjvënësit nga Komiteti i Inteligjencës dhe Sigurisë kishin planifikuar të udhëtonin drejt Britanisë muajin e ardhshëm.

Por udhëtimi është shtyrë në mes raporteve për një përplasje diplomatike.

Vendimi pason një ankesë të raportuar nga Mbretëria e Bashkuar për rrjedhje të detajeve nga një takim i nivelit të lartë ku u diskutua për Huawei.

Australia ka ndaluar gjigantin e telekomunikacionit kinez që të ndërtojë rrjetet e saj të internetit të gjeneratës së ardhshme 5G por Britania vendosi që kompania mund të vazhdojë të luajë një rol në sistemin e saj, megjithë presionin dhe paralajmërimet nga Uashingtoni.

Javën e kaluar, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab vizitoi Australinë, ku u takua me anëtarët e komitetit paralamentar të inteligjencës.

Detajet e takimit u zbuluan më vonë në Sydeny Morning Herald, i cili tha se një deputet kishte qortuar zotin Raab në takimin mbi vendimin e Britanisë për Huawei, duke thënë se Australia ishte shumë e zhgënjyer.

Sipas mediave australiane, raporti shkaktoi një ankesë zyrtare nga Vicki Treadell, Komisioneri i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar në Australi, ndaj drejtuesve të dy komiteteve parlamentare australiane.

Australia dhe Mbretëria e Bashkuar janë të dyja pjesë e aleancës së inteligjencës Five Eyes, e cila gjithashtu përfshin SHBA-në, Zelandën e Re dhe Kanadanë.

Parlamenti i Australisë të shtunën konfirmoi se udhëtimi në Britani të Madhe ishte shtyrë, por tha se ishte për shkak të faktit se komiteti parlamentar homolog në Mbretërinë e Bashkuar nuk ishte formuar akoma zgjedhjeve të dhjetorit.

Sipas Sydney Morning Herald, në takimin me Z. Raab, Anthony Byrne, nënkryetari i komitetit të inteligjencës së Australisë, tha se lejimi i Kinës për të ndërtuar infrastrukturën e rrjetit 5G në Mbretërinë e Bashkuar ishte ekuivalent si të lejonte Rusinë që ta ndërtojë atë.

"Si do të ndjeheshit nëse rusët vendosnin infrastrukturë në rrjetet tuaja? Kjo është se si ne ndjehemi për Huawei," u citua z.Byrne ti thoshte z. Raab.

Në një postim në Tëitter në atë kohë, ai tha se takimi kishte përfshirë një "diskutim të plotë dhe të sinqertë" mbi 5G dhe sfidat strategjike. Zonja Treadell ishte e pranishme.

Komisioni i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar në Australi i tha BBC-së: "Pozicioni ynë për këtë është që ne nuk do të komentojmë për njoftime private ose për ndonjë informacion që ka të bëjë me informatat private."

Qeveria australiane nuk ka komentuar zyrtarisht.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat