Europa ime: Pellgu i Europës - Bota Sot
Europa ime: Pellgu i Europës

Evropë

Europa ime: Pellgu i Europës

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 12:37
Ivaylo Ditchev

Bullgaria dhe Rumania kanë një problem me plehërat: Mbeturinat bëhen pirg, shumë pak riciklohet, shpesh haset edhe në afera kriminale. Shumë pak ndërmerret për t'iu kundërvënë kësaj, thotë Ivaylo Ditchev.

"Plehra" duhet të bëhej në Rumani dhe në Bullgari fjala e vitit. Në janar Komisioni i BE-së në Bukuresht kërcënoi me hapjen e procedurës për shkelje të marrëveshjes, sepse në këtë vend që nga viti 2014 nuk është avancuar aspak me menaxhimin e mbeturinave në zonat e banuara. Për qeverinë në Sofje zbulimi i maleve me plehra shkaktoi një tërmet në politikën e brendshme, që çoi në arrestimin e ministrit të Mjedisit, Dimov dhe nxiti hetime masive të policisë në një sërë qytetesh. Si në Rumani edhe në Bullgari hetimet u nxitën prej policisë italiane. Kjo e fundit ishte vënë në ndjekje të eksporteve ilegale të mbeturinave nga biznesmenë mafiozë dhe i pati informuar të dyja vendet.

Krejt papritur qytetarët u përballën me një problem të jashtëzakonshëm, por që në fakt për ta nuk duhej të ishte kaq i panjohur. Më pak se dhjetë përqind e mbeturinave riciklohen. Një pjesë e madhe e tyre digjen në fabrikat e çimentove pa impiante filtrimi, gjë që përbën rrezik serioz për shëndetin e popullsisë. Vetëm në Rumani çdo vit digjen nëpër furra 100.000 ton mbeturina PVC. Një pjesë e madhe e këtyre mbeturinave qëndron jashtë me vite të tëra.

Deponitë dhe pirgjet e mbeturinave në Bullgari

Ministri i ri bullgar i Mjedisit i pagëzuar me epitetin si "Inspektori" zbulon vazhdimisht importe plehërash nga jashtë, që nuk përpunohen më tej, pasi sipërmarrjet e ngarkuara dhe të paguara për këtë zhduken nga faqja e dheut. Gjatë dhjetë viteve të fundit këto importe janë njëzet fishuar! Gazetarë të huaj raportojnë për male me mbeturina, që gjenden nën ura apo përgjatë autostradave e më pas digjen për t'u hapur vend mbeturinave të tjera.

Afera kriminale

Ky skandal ka shumë anë. Ashtu si edhe në Itali ky lloj biznesi është kthyer në monopol të menaxherëve të dyshimtë. Me këtë janë të lidhur korrupsioni, tutorë nga nivele të larta politike dhe një propagandë masive, që mbrojtësit e mjedisit i cilësojnë si "talibani i gjelbër", që marrin ryshfete nga konkurrentët perëndimorë për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Përfitimet janë të mëdha, kryesisht kur paguhet për riciklimin e rregullt të mbetjeve, por që në fakt më pas ato vetëm digjen ose derdhen në deponitë e hapura të mbeturinave.

Ndotja e mjedisit nuk është kthyer në problem vetëm për vendet europiano-lindore, prej të cilave disave u duhet të luftojnë me vlerësimet më negative në nivelin e mbarë kontinetit. Kur para dy vjetësh Kina e ndaloi importin e mbeturinave nga e gjithë bota, BE-së iu desh të mendojë për rrugë të tjera për asgjësimin e mbeturinave të veta.

Cënim i krenarisë kombëtare

Por ka edhe një dimension simbolik të kësaj krize. Qytetarët e Europës Lindore reagojnë mjaft me ndjeshmëri nëse krijohet përshtypja që ata janë qytetarë të kategorisë së dytë. Një kujtim ende i freskët për këtë është edhe indinjata që u krijua për gjoja dallimin e përbërësve ushqimorë, që në Lindje dhe në Perëndim shiten nën të njëjtën markë. Pavarësisht dallimeve minimale në fakt indinjata ishte e madhe.

Tema plehra duket se aktivizon një plagë edhe më të thellë narciziste. Vendet e sipërpërmendura si fëmijët e qilarit të Europës (por edhe Polonia, Ukraina dhe Rusia) e shohin veten si pellgje, në të cilat derdh mbeturinat jo vetëm Europa, por edhe disa vende në zhvillim. Eshtë bërë e ditur, se madje edhe vendet afrikane kanë nisur t'i transportojnë plehrat etyre. Mjerim, papastërti dhe asnjë shpresë. Pamjet e maleve me plehëra si nga bota e tretë me romët e varfër, që kërkojnë të gjejnë diçka me vlerë në këta grumbuj, ngjallin përçmim dhe neveri, por edhe indinjatë për bizneset e vazhdueshme kriminale. Importi i mbetjeve industriale u sjell para syve në mënyrë therëse qytetarëve deindustrializimin e vendit të tyre: Prodhimi dhe konsumi janë realizuar në Perëndim, në Lindje përfundojnë vetëm mbeturinat.

"Azili i të moshuarve të Europës"

Një përballje e ngjashme gjeopolitike ndodhi edhe në fund të viteve 90-të. Asokohe mendohej, se si të krijohej një biznes fitimprurës në Bullgari dhe Rumani, duke joshur të moshuarit nga Perëndimi me të ardhura të mira që të gjenin shërbimin e kujdestarisë me kosto të favorshme dhe me klimë të ngrohtë në vendet e Lindjes. Diskutimi u zhvillua paralelisht me një eksod masiv të rinisë nga këto vende drejt Perëndimit, prej nga duhej të vinin në kah të kundër pensionistët. Perspektiva për t'u kthyer në azilin e të moshuarve të Europës atëherë e vrau vetëdijen europiano-lindore ngjashëm si edhe sot metafora me pellgun e Europës. Azilet për kujdestarinë për të moshuar nuk u krijuan kurrë. Në vend të kësaj janë larguar forcat e punës nga sektori i kujdestarisë drejt Perëndimit.

Forcimi i standardeve ekologjike në Europën Veriore e thellon edhe më shumë padrejtësinë e perceptuar. Teksa vendet e pasura predikojnë moralin dhe na nënçojnë ne, sepse po zhytemi në plehëra, vazhdojnë të sjellin edhe më shumë plehra tek ne! Në Bullgari diskutohet për ndërmarrjet lokale të përpunimit të mbetjeve të vendoset rregulli i një raporti 50 me 50. Nëse dikush vdes prej kancerit nga ndotja e ajrit, nuk do të ishte ky një ngushëllim, që një pjesë e plehërave të djegura vijnë nga brenda vendit?

Protesta e shoqërisë mungon

Një tjetër hap simbolik i "Inspektorit" ishte mbyllja e kufijve për importin e mbeturinave. Kjo masë kundër globalizmit të plehrave e bën edhe më të qartë problemin: Kapitali grumbullohet në vende të pasura, mbeturinat në vende të varfëra. Kritikët kundërvihen, që ndalimi i transporteve të mbeturinave është kundër rregullave të BE-së dhe se se përpunimi i mbetjeve është vërtetë biznes fitimprurës, por është edhe në biznes i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit. Kësisoj debati zvarritet nga java në javë.

Çfarë mund ta pengojë Rumaninë dhe Bullgarinë që ta rrezikojë shëndetin e popullsisë vendase dhe bukurinë e natyrës kundrejt përfitimit të shpejtë? Normat e BE-së dhe gjobat nuk mjaftojnë. Këto male me plehra rriten prej vitesh para syve të qytetarit. Por ky i fundit në vend që ta demaskojë dukurinë dhe të protestojë kundër saj vazhdon të hedhë mbi këto pirgje edhe mbeturinat e veta si gomat e vjetra të makinës dhe vazhdon rrugën.

Ivaylo Ditchev profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ndër të tjera ka dhënë leksione edhe në Gjermani, Francë dhe në SHBA./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat