Rrahje në parlamentin turk ndërsa Erdogani ikë në Moskë për takim me Putinin

Evropë

Rrahje në parlamentin turk ndërsa Erdogani ikë në Moskë për takim me Putinin

Më: 5 mars 2020 Në ora: 12:32
Pamje nga videoja

Lideri turk dhe ai rus do të provojnë ta bëjnë një tjetër marrëveshje për ta stabilizuar Idlibin.

Takimi mes liderëve të Turqisë dhe Rusisë që pritet të mbahet sot do të jetë shansi i fundit për të arritur një marrëveshje që shmang mizoritë e tjera në veri-perëndim të Sirisë.

I përballur me humbje dërrmuese ushtarake në provincën Idlib dhe me një valë potenciale njerëzish që ikin nga luftimet, presidenti Turk Rexhep Taip Erdoan po kërkon armëpushim – dhe Putini është i gatshëm që të futet në pazar.

Me krizën e re të emigrantëve në kufijtë e Evropës që duket se do të jetë e frikshme, të gjithë sytë do të jenë në Moskë, ku dy fuqitë kryesore në Siri do të provojnë të arrijnë një tjetër marrëveshje që iu përshtatet agjendave të tyre respektive, shkruan The Guardian.

Sidoqoftë, çdo pakt pritet që thjesht t’i pauzojë sulmet e furishme nga trupat e presidentit Sirian, Bashar al-Assad, që kërcënojnë përkeqësimin e vuajtjeve për 3 milionë njerëz të ngujuar në Idlib.

Vladimir Frolov, një analist politik i pavarur rus tha: “Problemi kryesor në Idlib është dëshira e presidentit Bashar al-Assad për të vendosur kontroll të plotë në zonë dhe për të bllokuar kufirin me Turqinë, ndërsa po provon t’i dëbojë 3 milionë sunitë, armiqësorë me të, në tokën turke.”

Luftimet në provincë, rajoni i vetëm i kontrolluar nga opozita në Siri, ka qenë katastrofal për popullsinë e atjeshme. Gati 1 milionë vetë kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga ofensiva e fundit që nisi më 1 dhjetor.

Për Turqinë, që ka dërguar mijëra trupa në Siri në javët e kaluara, intervenimi ka qenë i tmerrshëm: 58 ushtarë janë vrarë në muajin e kaluar, përfshirë 33 nga një sulm ajror javën e kaluar.

Ndërkohë, situata politike në Turqi është përkeqësuar aq shumë sa në seancën për intervenimin në Siri, deputetët e partisë në pushtet u përplasën fizikisht me deputetët e tjerë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat