Trupat britanike ndihmuan që spitali Nightingale me 4.000 shtretër në Londër të përfundonte në kohë përpara mbërritjes së pacientëve me koronavirus.
Ushtarët që u angazhuan të arrihej afati teksa sot pritet të pranohen të sëmurët e parë, e krahasuan krizën e Covid 19 me betejën e Somme-s, gjatë luftës së Parë Botërore, e shndërruar në simbolin e konfliktit të viteve 1914-1916 për humbjet e mëdha, por edhe qëndresën e durimin.
Kolonel Ashleigh Boreham, që ka bërë dy ture në Irak e Afganistan, e përshkroi këtë si njërin prej misioneve më të mëdha të karrierës së tij.
“Ne po punojmë për njerëzit e këtij vendi. T`i shpëton jetë, dhe ato mund të jenë dhe jetët e familjarëve të tu. Është detyra më e madhe që kam pasur. Gjyshi im ishte në Somme, e kjo që po ndodh sot nuk është shumë ndryshe.
Thjesht është një betejë tjetër”, u shpreh Boreham. Spitali u ndërtua për rreth 10 ditë. Qendra të ngjashme me të po krijohen edhe në Manchester, Birmingham e Glasgow, për të lehtësuar presionin mbi strukturat ekzistuese.