Anglia të enjten fillon me programin e testimit dhe gjurmimit për koronavirus

Evropë

Anglia të enjten fillon me programin e testimit dhe gjurmimit për koronavirus

Më: 28 maj 2020 Në ora: 00:34
Foto ilustrim

Një shërbim i testimit dhe gjurmimit për COVID-19 do të fillojë në Angli të enjten, duke lejuar zbutjen e masave për shumicën e popullatës, ka thënë kryeministri i Britanisë, Boris Johnson.

“Nga nesër (e enjte) do të ketë një operacion të ri testimi dhe gjurmimi që do të ndryshojë jetët e njerëzve dhe që do të kërkojë nivel të madh mendimi dhe bashkëpunimi, por që ia vlen për gjithë shtetin”, u ka thënë Johnsoni ligjvënësve të mërkurën, raportojnë mediat britanike.

Shërbimi, që do të kërkojë një task-forcë prej 40 mijë specialistëve për të testuar ata me simptome dhe të identifikojnë kontaktet e tyre, nuk do të përfshijë aplikacionin që është çelësi për të zbuluar kontaktet anonime. Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se aplikacioni, që po testohet në Ishullin e Wrightit, do të përfshihet më vonë.

Kontaktet do të këshillohen të izolohen për 14 ditë, edhe nëse nuk shfaqin simptome, ka shtuar Johnson, duke thënë se do të jetë një “detyrim i madh”, por se do të aplikohet te një numër i vogël i popullatës.

“Ia vlen pasi këtë metodë e kanë përdorur shtetet tjera për t’u hapur, për t’u siguruar se do të ecim para. Ai bllokim i një numri të vogël për një periudhë të shkurtër do të na lejonte që gradualisht të lironim 66 milionë nga situata aktuale”, ka thënë Johnson.

Ai ka thënë se sistemi fillimisht do të varet nga fryma e bashkëpunimit e publikut britanik, por mund të aplikohen sanksione nëse njerëzit nuk bashkëpunojnë. Britania ka hequr dorë nga testimi e gjurmimi në mars, kur virusi filloi të përhapet dhe kishte kapacitet të vogël për të testuar ata me simptome. Hancock ka thënë se tash ka mjaftueshëm kapacitete – deri 161 mijë teste në ditë – për gjithë ata që kanë nevojë të testohen. Dido Harding, që është duke e udhëhequr programin, ka thënë se kjo do të mundësojë që mbyllja nacionale, që është në fuqi që nga 23 marsi, të zëvendësohet me izolim individual dhe veprim lokal ku rastet e reja shfaqen. Ajo ka thënë se numri mesatar i kontakteve për një individ do të jetë pesë, një ulje nga 30 para krizës shëndetësore, për shkak të ndikimit të distancës sociale.

Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut kanë programe të ngjashme që pritet të fillojnë apo i kanë filluar tashmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat