Austri– BE: Shenja kompromisi para samitit për Fondin e Rimëkëmbjes - Bota Sot
Austri– BE: Shenja kompromisi para samitit për Fondin e Rimëkëmbjes

Evropë

Austri– BE: Shenja kompromisi para samitit për Fondin e Rimëkëmbjes

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 13:20
Austria

Holanda dhe Austria shprehën vullnetin e tyre për arritjen e një kompromisi për planin europian të ndihmave financiare përballë krizës së koronavirusit, për të cilin do të diskutohet gjatë një samiti të drejtuesve të Bashkimit Europian parashikuar në mes të korrikut.

Këto dy vende janë pjesë e grupit prej katër shtetesh të ashtuquajtur “të kursyerit”, me Suedinë dhe Danimarkë, që janë treguar shumë të rezervuara përsa i përket projektit prej 750 miliardë eurosh, mbështetur aktivisht nga Franca dhe Gjermania.

“Ne do të diskutojmë për këtë plan javën e ardhshme dhe besoj se është shumë e rëndësishme të gjenden zgjidhje”, deklaroi kryeministri holandez, Mark Rutte para një takimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, vendi i të cilës mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Megjithatë, Rutte shtoi se ishte gjithashtu e rëndësishme që një fond i tillë të zbatohej në të njëjtën kohë ashtu si reformat në vendet që do të përfitojnë, me qëllim që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian të jenë të forta dhe në rast të një goditjeje tjetër, një fond i tillë të mos jetë i nevojshëm.

Edhe homologu i tij austriak, kancelari Sebastian Kurz, ka dërguar gjithashtu sinjale pozitive në afrim të samitit europian, i programuar më 17-18 korrik.

“Ne dëshirojmë të arrijmë një kompromis (…) Do të isha i kënaqur nëse do të ketë një zgjidhje të shpejtë”, deklaroi konservatori para një komisioni parlamentar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat