Autoritetet greke para sfidës së strehimit të mijëra refugjatëve

Evropë

Autoritetet greke para sfidës së strehimit të mijëra refugjatëve

Më: 13 shtator 2020 Në ora: 17:48
Greqi

Autoritetet në ishullin Lesbos në Greqi, kanë zhvendosur mbi 300 imigrantë dhe refugjatë të pastrehë në objekte të përkohshme, pasi një valë zjarresh shkatërroi kampin e mbingarkuar Moria, duke lënë mbi 12 mijë azilkërkues të pastrehë, në krizën më të rëndë humanitare për vendin në pesë vjet.

Grupe refugjatësh të rraskapitur, ishin në radhë të dielën para portave të Kara Tepes, për të hyrë në kampet e përkohshme, pas katër ditësh në kushte jashtëzakonisht të këqija.

Shumë prej tyre mbanin foshnja, tenda të vjetra dhe qese plastike me sende personale që kishin arritur t’i shpëtonin para se të iknin nga Moria.

Shkaku i zjarrit është ende nën hetim,por autoritetet e kontaktuara nga Zëri i Amerikës, dyshojnë se ishte i qëllimshëm, ndoshta pjesë e një përpjekjeje të organizuar nga refugjatët, të zemëruar nga urdhrat e karantinës, të imponuara pasi 35 vetë rezultuan pozitivë për COVID-19.

“Autoritetet po punojnë në mënyrë aktive për të mos i lënë këta njerëz në rrugë dhe për t’i futur në kampe të përkohshme. Problemi është se shumë prej tyre po rezistojnë dhe një numër i madh i tyre janë fshehur duke menduar se ky është shansi i tyre për të shkuar në pjesën kontinentale të vendit dhe prej atje në qendër të Evropës”, i tha Zërit të Amerikës, guvernatori rajonal Kostas Moutzouris.

Të shtunën, mijëra refugjatë dolën në rrugë duke kërkuar që të lejohen të vazhdojnë udhëtimin e tyre për në zemër të Evropës dhe jo të vendosen në një objekt tjetër.

Protesta ku fëmijët mbanin parrulla ku shkruhej “Ne duam liri”, ishte kryesisht paqësore por disa përplasje ndodhën kur disa të rinj u përpoqën të thyejnë kordonin e policisë, duke detyruar autoritetet që të përdornin gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Ishulli Lesbos është i mbingarkuar nga kriza e imigracionit në Evropë, me mbi një milionë refugjatë që kanë zbritur në brighet e tij nga Turqia që nga viti 2015.

Kampi i Morias ishte ndërtuar me një kapacitet prej 2,300 refugjatësh. Që atëherë, valë migrantësh të paligjshëm kanë detyruar autoritetet që të fusin aty 10 mijë njerëz të tjerë, duke shkaktuar kritika të ashpra nga organizatat ndërkombëtare botërore dhe Kombet e Bashkuara, për kushtet tepër të këqia të jetesës.

Organizata Human Rights Watch tha në një deklaratë se zjarret në Moria “nxjerrin në pah dështimin e politikës së Bashkimit Evropian për izolimin”. Organizata kërkoi që vendet evropiane të fillojnë të mbajnë përgjegjësinë për azil-kërkuesit dhe që Greqia nga ana e saj të respektojë të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, autoritetet lokale dhe banorët në Lesbos këmbëngulin për një evakuim të plotë, duke kundërshtuar përpjekjet e qeverisë për të rihapur Morian, ose për të ngritur kampe të tjera, përveç atij në Kara Tepe.

Ai objekt i ri ka një kapacitet prej rreth 3 mijë vetësh, duke e lënë të papërcaktuar fatin e 9 mijë migrantëve.

“Në asnjë mënyrë nuk do të krijojmë hapësirë për një numër më të madh. Nëse kjo ndodh, Lesbos merr fund një herë e përgjithmonë”, thotë zoti Moutzouris.

Banorët vendas kanë në plan të protestojnë të martën ndaj projekteve të qeverisë për akomodimin e më shumë refugjatëve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat