Mitropoliti i KOS-it në Mal të Zi pozitiv në koronavirus, dërgohet në spital në Podgoricë

Evropë

Mitropoliti i KOS-it në Mal të Zi pozitiv në koronavirus, dërgohet në spital në Podgoricë

Nga: D.G. Më: 7 tetor 2020 Në ora: 08:06
I Malit të Zi apo i Serbisë: Mitropolitik Amfilohije

Mitropoliti Amfilohije është njëri ndër njerëzit më të fuqishëm në Mal të Zi, besohet se e tuboi koalicionin proserb

Pasi kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije, iu konfirmua koronavirusi natën e së dielës vonë, ai u transportua nga spitali i Cetinjes në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, sepse kushtet në atë institucion janë më të mira.

Mitropolia e Malit të Zi dhe Bregdetare konfirmoi se 82-vjeçari Amfilohije kishte qenë në izolim shtëpie që nga e shtuna dhe se ai ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

"Edhe pse gjendja e tij e përgjithshme shëndetësore është akoma në rregull, dhe ai personalisht ndihet mirë, testi kovid konfirmoi se peshkopi është infektuar me këtë virus, prandaj, për këto arsye, ai u transportua në Qendrën Klinike në Podgoricë. Ai do të vendoset atje, për shkak të kushteve më të favorshme të trajtimit, për sa kohë që zgjat infeksioni ", tha metropolia në një deklaratë.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, siç raportuan mediat malazeze, u pranua në spitalin në Cetinje të martën në mëngjes për shkak të përkeqësimit të shëndetit dhe dyshohet se kishte një temperaturë të lartë që nga e shtuna, por gjatë vizitës së një mjeku në shtëpi ai nuk pranoi të testohej për virusin korona.

Ai më pas dërgoi një video mesazh, duke thënë se është mirë me shëndet dhe, siç tha, "po i kryen veprimtaritë e rregullta administrative".

Amfilohije, Mitropoliti i Malit të Zi apo i Serbisë?

Metropoliti Amfilohije është një nga njerëzit më të fuqishëm në Malin e Zi dhe besohet se ai mblodhi koalicionin pro-serb "Për Ardhmërinë e Malit të Zi" dhe caktoi Zdravko Krivokapic në krye të tij, i cili me shumë gjasa të enjten do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re malazeze. Ai gjithashtu mblodhi kohët e fundit udhëheqësit e qeverisë së re në manastirin Ostrog, duke u kërkuar atyre të mbështesnin Krivokapiqin për kryeministër.

Pjesën më të madhe të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe, nën parullën - Nuk i japim faltoret - organizoi protesta masive kundër ligjit për lirinë e fesë të miratuar nga parlamenti malazes në fund të vitit të kaluar, duke pretenduar se qeveria malazeze dëshironte të merrte pronën e saj në atë vend.

Analistët besojnë se miratimi i atij ligji dhe konflikti me Kishën Ortodokse Serbe i kushtoi Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviç humbjen e pushtetit pas 30 vjetësh.

Historia jozyrtare që u përmend "me ndrojtje" në mediat malazeze është se Milo Gjukanoviqi, para se të shpallte mundësinë e formimit të një kishe ortodokse malazeze, bisedoi me mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije, duke u përpjekur ta bindtte atë të devijonte nga Patriarkana e Beogradit dhe të vëhet në krye të kishës autoqefale të Malit të Zi.

Në këtë mënyrë, Gjukanoviqi u përpoq të shfrytëzonte marrëdhëniet e këqija midis Metropolitit Amfilohije dhe kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, sepse Amfilohije e ka kritikuar Vuçiqin që nga fillimi i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, duke pretenduar se ai e tradhtoi Kosovën duke nënshkruar një marrëveshje me shqiptarët. Amfilohije gjithashtu u përlesh me Patriarkun Irinej për çështjen e mbështetjes për Vuçiqin për Kosovën.

Amfilohije e rrëzoi Gjukanoviqin?

Në prag të seancës konstituive të parlamentit malazes më 23 shtator, Amfilohije organizoi një takim të liderëve të tri koalicioneve që fituan zgjedhjet në manastirin Ostrog, një nga faltoret më të mëdha ortodokse në Malin e Zi, ku ai u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të mbështesin Zdravko Krivokapiqin për kryeministër të ardhshëm. Në atë takim, siç kanë raportuar mediat në Mal të Zi, Amfilohije u përplas me udhëheqësit e Frontit Demokratik (FD) pro-serb, të cilët i thanë atij se nuk mund t'i jepnin mbështetje të pakushtëzuar Krivokapiqit para se ai të konfirmohej nga organet e partisë, shkruan Jutarnji.hr.

Sidoqoftë, FD mbështeti Krivokapiqin dhe një ditë më vonë mediat në Serbi raportuan se Amfilohije kishte pasur një takim me kryetarin serb Vuçiq në Beograd, nga i cili gjoja se kërkoi t'i kontrollojë kërkesat e DF-së pas zgjedhjeve në Malin e Zi.

Që më herët dihet se Dritan Abazoviqi, udhëheqësi i koalicionit "E bardhë në të zezë", nuk do të lejojë që sektorët e sigurisë t’i përkasin asaj partie pro-serbe dhe pro-ruse, udhëheqësit e së cilës Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq u dënuan për përpjekje për grusht shteti në ditën e zgjedhjeve parlamentare 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat