Austria shpall tri ditë zie, arrijnë mesazhe mbështetjeje nga Merkel, Putin, Trump...

Evropë

Austria shpall tri ditë zie, arrijnë mesazhe mbështetjeje nga Merkel, Putin, Trump...

Nga: B.S. Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 11:35
Sebastian Kurz

Qeveria austriake ka shpallur tri ditë zie pas sulmit terrorist në Austri të hënën në mbrëmje, në të cilën u vranë katër persona, ndërsa mesazhet e mbështetjes dhe solidarizimit po mbërrijnë nga e gjithë bota, raportojnë agjencitë e lajmeve.

"Mendimet dhe dhemshuria jonë është me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre në këto orë shumë të vështira për Republikën e Austrisë," tha kancelari Sebastian Kurz përpara seancës së qeverisë.

Dy gra dhe dy burra dhe një nga sulmuesit, të cilët u vranë nga policia, humbën jetën në një sulm terrorist në qendër të Vjenës. Pesëmbëdhjetë persona u plagosën, shtatë prej të cilëve ishin kërcënues për jetën.

Pas aktit të çmendur të terrorizmit, mesazhet e mbështetjes dhe simpatisë nga e gjithë bota vazhdojnë të mbërrijnë në Austri.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte e tronditur nga sulmi në qendër të Vjenës dhe se Gjermania i shpreh ngushëllime Austrisë fqinje dhe është me të në luftën kundër "terrorizmit islamik".

"Në këto orë të tmerrshme kur Vjena është bërë shënjestër e dhunës terroriste, mendimet e mia janë me popullin austriak dhe forcat e sigurisë që përballen me rrezik," tha Merkel në një deklaratë të postuar në Tëitter të martën nga zëdhënësi i saj.

"Ne gjermanët jemi solidar me miqtë tanë austriakë. Lufta kundër terrorizmit islamik është lufta jonë e përbashkët."

Kryetari i Këshillit të Evropës Charles Michel tha se "Evropa dënon fuqimisht këtë akt qyqar që nuk respekton jetën dhe shkel vlerat tona njerëzore ... Ne jemi me Austrinë."

Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu dënoi sulmin në Vjenë dhe tha se Rusia është e gatshme të rritë bashkëpunimin kundër terrorizmit me Austrinë.

Në një telegram dërguar kancelarit austriak Sebastian Kurz, Putini e quajti sulmin një "krim mizor dhe cinik", njoftohet nga Kremlini.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Antonio Guterres gjithashtu dënoi ashpër sulmin.

"Unë e kam ndjekur sulmin në Vjenë, një nga selitë tona të KB, me shqetësim serioz. Unë dënoj me forcë sulmin dhe riafirmoj solidaritetin e KB me popullin dhe qeverinë e Austrisë."

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se është i tronditur dhe se Mbretëria e Bashkuar është në mendje me popullin austriak. "Ne jemi të bashkuar me ju në luftën kundër terrorit," tha ai.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump në Tëitter dënoi "një akt tjetër të shëmtuar terrorist" në Vjenë, duke shtuar se "sulmet e liga" duhet të ndalen.

"Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Austrinë, Francën dhe tërë Evropën në luftën kundër terroristëve, përfshirë terroristët radikalë islamikë," shkroi presidenti në detyrë dhe kandidati republikan në zgjedhje. "Këto sulme të së keqes ndaj të pafajshmve duhet të ndalen," shtoi ai

Ka reaguar edhe kandidati demokrat presidencial Joe Biden, i cili dënoi "sulmet e tmerrshme terroriste".

"Ne të gjithë duhet të ngrihemi kundër urrejtjes dhe dhunës," tha Biden.

Kryeministri Narendra Modi tha se India është "thellësisht e tronditur dhe e trishtuar nga sulmet qyqare në Vjenë. India është me Austrinë në këtë kohë tragjike".

Sulmi u dënua gjithashtu fort dhe shprehën solidaritet me Austrinë udhëheqësit e Australisë, Kanadasë, Izraelit, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe të tjerët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat