COVID në Europë, në Greqi e Itali nisin bllokadat, në Poloni shtohen rastet e reja

Evropë

COVID në Europë, në Greqi e Itali nisin bllokadat, në Poloni shtohen rastet e reja

Më: 7 nëntor 2020 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

Makinat u vendosën në rresht në Athinë dhe radhë të gjata u krijuan në dyqanet e shitjeve të veshjeve, artikujve shtëpiakë, kozmetikës dhe mallrave të tjera, një ditë para se Greqia të hynte në bllokadë kombëtare për 3 javë.

Nga mëngjesi i së shtunës, qarkullimi do të lejohet vetëm për arsye specifike. Gjithashtu, të gjitha dyqanet veç ushqimoreve do të qëndrojnë të mbyllur.

Në Itali, Rexho Kalabria, një nga qytetet kryesore të jugut të vendit, ishte e shkretë, me baret e mbyllura në ditën e parë të bllokadës së pjesshme në 4 rajone, që synon ndalimin e epidemisë së coronavirusit.

Kufizimet e reja për momentin kanë hyrë në fuqi në Lombardi, Piemonte, Luginën e Aostës dhe pikërisht në Kalabri.

Në Francë, në aeroportin Orli të Parisit funksionon që prej së premtes një qendër testimi për pasagjerët në nisje. Ndërkohë, nga java e ardhshme një qendër tjetër do të ngrihet në aeroportin kryesor, ‘Charles de Gaulle’.

Pasagjerët do të mund të kryejnë teste antigjenike, ose virologjike, sipas destinacioneve dhe indikacioneve mjekësore.

Në Angli, Liverpuli nisi të premten testimet në masë të coronavirusit, në përpjekje për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve gjatë valës së dytë të pandemisë.

Të 500 mijë banorëve të qytetit, por edhe njerëzve që punojnë atje, do t’u ofrohet mundësia të përsërisin testet në kuadër të projektit pilot, që fillimisht do të zgjasë dy javë.

Në Poloni u regjistrua në 24 orët e fundit një numër i lartë vdekjesh, teksa nisën testimet në spitalin e improvizuar në stadiumin kombëtar të vendit.

Shifrat e autoriteteve flasin për 445 vdekje dhe mbi 27 mijë infektime. Rritja e ndjeshme e viktimave, por edhe e të sëmurëve e kanë futur Poloninë mes 20 vendeve më të prekura nga pandemia në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat