Armenia në krizë politike, presidenti bën thirrje për zgjedhje të parakohshme

Evropë

Armenia në krizë politike, presidenti bën thirrje për zgjedhje të parakohshme

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 16:18
Armen Sarksyan

Presidenti i Armenisë, Armen Sarksyan, ka bërë thirrje për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se ato janë të nevojshme për zgjidhjen e krizës politike, e cila erdhi pas luftimeve me Azerbajxhanin dhe nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, me të cilët Azerbajxhani do t’i mbajë nën kontroll zonat e fituara gjatë luftimeve.

Zgjedhjet do ta shpëtonin vendin nga përmbytja, tha presidentia Sarksyan, gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion në mbrëmjen e së hënës.

Ai i bëri thirrje qeverisë së kryeministrit Nikol Pashinyan që të paraqesë një rrugë për zgjedhjet e parakohshme. Presidenti tha se këto zgjedhje duhet të mbahen nga një qeveri e re dhe e përkohshme, që përfaqëson akord kombëtar.

“Duke e marrë parasysh gjendjen e tanishme, duke i marrë parasysh kërkesat publike, është e qartë se me qëllim të shmangies së përmbytjeve politike, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e pashmangshme”, tha presidenti armen pas takimeve që pati me grupe të ndryshme politike.

Ai tha se propozimi i tij e pasqyron qëndrimin e shumicës së udhëheqësve të partive politike dhe figurave publike me të cilët ka zhvilluar diskutime ditëve të fundit.

Disa prej këtyre partive kanë protestuar në Yerevan për ta kundërshtuar mënyrën se si qeveria e ka menaxhuar luftën. Kryeministri Pashinyan i ka refuzuar kërkesat e protestuesve për dorëheqje, por ende nuk është deklaruar në lidhje me propozimin për zgjedhje të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat