Brexit-i: Po të mos ketë marrëveshje, do të tronditet e gjithë Evropa

Evropë

Brexit-i: Po të mos ketë marrëveshje, do të tronditet e gjithë Evropa

Nga: B.S. Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 08:26
Boris Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson do të udhëtojë në Bruksel në fund të javës për një takim ballë për ballë me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Takimi i shumëpritur do të zhvillohet "në ditët në vijim", kanë thënë udhëheqësit pas një bisede telefonike që zgjati më shumë se një orë të hënën, më 7 dhjetor. Dhe ajo bisedë pasoi një mëngjes të tensionuar në Bruksel.

Kryenegociatori i BE-së Michel Barnier paralajmëroi atë ditë në një takim me përfaqësuesit diplomatikë të 27 vendeve anëtare që bisedimet tregtare për marrëdhëniet pas Brexit-it nuk do të zgjasin më shumë se të mërkurën, dmth ato duhet të përfundojnë përpara samitit të Këshillit të Evropës të enjten, më 10 dhjetor.

Megjithëse Mbretëria është larguar zyrtarisht nga BE-ja, në përputhje me Marrëveshjen e tërheqjes të rënë dakord, gjatë periudhës kalimtare duhet të arrihet marrëveshja për marrëdhëniet e ardhshme tregtare me BE-në, por negociatat për këtë janë bllokuar përsëri.

Pikat kryesore rreth të cilave ndahen të dy palët janë: çështja e kuotave të peshkimit; rregulla të barabarta të lojës të cilat për Mbretërinë e Bashkuar nënkuptojnë hyrje të papenguar në tregun e BE-së për mallrat e tyre pa taksa, ndërsa për BE-në që MB nuk duhet të privilegjojë kompanitë e saj me ndihmë shtetërore; mënyrat dhe mekanizmat e zbatimit të marrëveshjes.

Ekziston edhe përkufizimi klasik i Brexit pa marrëveshje - që Britania e Madhe do të duhet të zbatojë rregullat e lojës së Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të thotë kontroll kufitar dhe shumë obligime të reja.

Sidoqoftë, pretendimet nga të dy palët, cilado qoftë marrëveshja, do të kenë anët e saj pozitive dhe negative, dhe të gjithë do të interpretojnë marrëveshjen në mënyrë që të marrin diçka prej saj, shkruan gazeta kroate "Juarnji list" dhe shton se, nëse nuk do të ketë marrëveshje, e gjithë Evropa do të tronditet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat