Ukraina propozon që zona e Çernobilit të vendoset nën mbrojtjen e UNESCO-s

Evropë

Ukraina propozon që zona e Çernobilit të vendoset nën mbrojtjen e UNESCO-s

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 15:35
Çernobil

Më shumë se tri dekada pas fatkeqësisë bërthamore, qeveria e Ukrainës konsideron që zona e Çernobilit të vihet nën mbrojtjen e organizatës kulturore të Kombeve të Bashkuara.

Shpërthimi i reaktorit atomik më 26 prill 1986 vrau dhjetëra persona, detyroi evakuimin e qindra mijëra banorëve dhe zbrazi një qytezë të tërë të vendit nga rreziku i rrezatimit.

Por kurioziteti për qytezën e Pripiatit është rritur, me 100 mijë vizitorë të huaj vitin e shkuar.

“Çernobili është sot një zonë e famshme botërisht. Turistët vijnë në Ukrainë për shkak të saj, dhe nëse dikur ajo do të futej në trashëgiminë botërore të UNESCO-s, do ishte mjaft me vlerë.”

Autoritetet thonë se grimcat radioaktive e bëjnë të pamundur jetesën e njerëzve në Çernobil për 24 mijë vite të tjera.

Ndërkohë, është gjallëruar bota bimore dhe shtazore, dhe që me mbulimin e fundit të reaktorit të dëmtuar në vitin 2016, garantohet edhe siguria e njerëzve.

Ministri ukrainas i Kulturës, Oleksandr Tkaçenko, mendon se ka ardhur koha që zona e ndaluar të bëhet më e lirë për publikun.

Oleksandr Tkaçenko: Kjo nuk do të thotë e hapur për aventura, apo për gjetjen e thesareve në zonë. Turistët duhet të largohen nga Çernobili me vetëdijen e një kujtimi historik.”

Sipas ministrit Tkaçenko, trashëgimia e Çernobilit duhet t’i përkasë të gjithë njerëzimit.

Oleksandr Tkaçenko: Përfshirja në listën e UNESCO-s do të ndihmonte në ruajtjen e monumenteve, në mbrujtjen e memories historike, por edhe në ndërtimin e rrugëve, infrastrukturës, në fluksin e turistëve.

Qeveria ukrainase ka plane që disa objekte në zonën e Çernobilit t’i shpallë trashëgimi historike, ndërsa më 15 dhjetor do shënojë përvjetorin e mbylljes së stacionit bërthamor që deri në vitin 2000 përdorej për prodhimin e energjisë elektrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat