Brexit: Çfarë duhet të dini për marrëveshjen e arritur

Evropë

Brexit: Çfarë duhet të dini për marrëveshjen e arritur

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 01:00
Foto ilustrim

Në vigjilje të Krishtlindjes, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë arritur më në fund një marrëveshje që do të përcaktojë marrëdhëniet mes tyre në të ardhmen. Që kur Britania u largua nga BE më 31 janar, palët kanë diskutuar se si duhet të jenë rregullat e reja. Negociatat shkuan deri në pikën e fundit pasi marrëveshja aktuale përfundonte më 31 dhjetor.

Çfarë dimë për marrëveshjen?

Marrëveshja përmban rregulla të reja se si duhet të jetojnë, punojnë dhe bëjnë tregti mes tyre Britania dhe Bashkimi Europian. Nuk dimë akoma shumë detaje për marrëveshjen pasi dokumenti i plotë me mbi 1 mijë faqe nuk është publikuar akoma.

Por nga ajo që dimë deri tani, marrëveshja do të thotë:

-Nuk ka teksa për mallrat e secilës palë kur kalojnë kufirin (të njohura si tarifa)

-Nuk ka kufizime për sasinë e gjërave që do të tregtohen (të njohura si kuota).

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se rregullat e konkurrencës- të projektuara që të ndalojnë një palë të fitojë avantazh të pandershëm ndaj tjetrës- do të vazhdojnë të mbeten të ndershme. Ajo tha se Britania dhe BE do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshi këtu ndryshimet e klimës, energjinë, sigurinë dhe transportin. Ne po ashtu e dimë se Britania nuk do të jetë pjesë e programit Erasmus për shkëmbimin e studentëve.

Përse vonoi kaq shumë marrëveshja?

Për shkak se në lojë ishin shumë gjëra. Britania është partneri më i afërt dhe më i madh tregtar i BE-së. Qeveria britanike thotë se bëhet fjalë për një volum tregtie që kap shumën e 668 miliardë sterlina në vit. Kur Britania ishte në BE, kompanitë mund të blinin dhe shisnin mallra në BE pa paguar tarifa. Pa marrëveshje, bizneset duhet të paguanin taksa, të cilat do të shtonin koston e mallrave. Mungesa e marrëveshjes do të thoshte edhe më shumë kontrolle në kufij, çka mund të sillte vonesa në transport.

Çfarë ndodh tani?

Edhe pse është arritur marrëveshja, ajo akoma duhet të përkthehet në ligj. Që të ndodhë kjo, marrëveshja duhet miratuar nga parlamentet reciproke. Por për shkak se është kaq vonë, Parlamenti Europian nuk do ketë kohë ta miratojë përpara fundit të vitit. Ajo nuk e ndalon marrëveshjen që të futet në fuqi më 1 janar, por do të duhet kohë përpara se të vuloset zyrtarisht. Britania nga ana e saj do të mbledhë deputetët përpara 30 dhjetorit për të miratuar marrëveshjen. Megjithatë nuk do ketë kohë për debat dhe për të parë nga afër detajet.

E thënë me një fjali?

Të dy palët janë të çliruara me arritjen e marrëveshjes, por njerëzit dhe bizneset nuk kanë shumë kohë për t’u përgatitur për ndryshimet që do të nisin nga 1 janari./BBC

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat