BE mund të ndëshkojë aleatët e Putinit për burgosjen e Navalnit

Evropë

BE mund të ndëshkojë aleatët e Putinit për burgosjen e Navalnit

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 20:13
Bruksel

Bashkimi Evropian ka të ngjarë të vendosë ndalime udhëtimi dhe bllokime pasurish ndaj aleatëve të Presidentit rus Vladimir Putin, ndoshta qysh këtë muaj, thanë tre diplomatë. Ata thanë se Franca dhe Gjermania kanë sinjalizuar gatishmërinë për ta bërë këtë.

Sanksionet, në përgjigje të burgimit të kritikut kryesor të Putinit, Aleksej Navalni, mund të jenë të parat që do të vendosen nën një kornizë të re të miratuar në dhjetor, e cila lejon BE-në të marrë masa kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Por Berlini dhe Parisi ka të ngjarë që ende të mos e japin mbështetjen për hapat më të ashpra të kërkuara nga disa aleatë evropianë, siç është ndalimi i ndërtimit të tubacionit të madh të gazit Nord Stream II nga Rusia për në Gjermani.

Presioni për sanksionet është rritur që nga java e kaluar, kur Moska i zemëroi vendet evropiane duke dëbuar diplomatë gjermanë, polakë dhe suedezë, pa e njoftuar shefin e politikës së jashtme të BE-së, i cili ishte në Moskë për një vizitë. Parisi dhe Berlini tani thonë se përgjigjja nuk duhet të mungojë.

Polonia, vendet balltike, Republika Çeke dhe Rumania kanë bërë presion për sanksione, ndërkohë që marrëveshja mes dy vendeve më të fuqishme të BE-së nënkupton që shtetet e tjera të BE-së nuk kanë gjasa t’i bllokojnë ato. Vendimi mund të merret kur ministrat e jashtëm të BE-së të mbajnë takimin e tyre të rradhës në 22 shkurt.

"Ne nuk mund t'i shmangim më sanksionet," tha një diplomat evropian. "Ekziston një konsensus duke përfshirë atë brenda në Gjermani që të ketë sanksione. Ne nuk mund të përgjigjemi në ndonjë mënyrë tjetër," tha ai.

Gjermania ka qenë e zëshme në mbështetje të Navalnit, i cili u kurua atje për atë që Berlini thotë se ishte helmim me një agjent nervor të epokës sovjetike. Por Gjermania ka edhe lidhje të ngushta energjetike me Rusinë.

Rusia kontrollon një të tretën e tregut të gazit të Evropës. Projekti prej 11 miliardë dollarësh Nord Stream II, i drejtuar nga kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom, do të dyfishojë kapacitetin e një tubacioni ekzistues nënujor që anashkalon Ukrainën dhe privon Kievin nga tarifat e tranzitit.

Berlini, me mbështetjen e Parisit, thotë se sanksionet nuk duhet të synojnë tubacionin, pavarësisht nga masat ndëshkuese të SHBA kundër projektit dhe një rezolute të Parlamentit Evropian që kërkon bllokimin e tij.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas u tha ligjvënësve gjermanë të mërkurën se sanksionet nevojiten për të goditur rusët përgjegjës për burgimin e Navalnit. Ministria e jashtme e Francës, e pyetur nëse i mbështeste sanksionet, tha: "Zhvillimet e fundit, veçanërisht në lidhje me situatën e Aleksej Navalnit, do të merren plotësisht parasysh. Përgjigja e BE-së duhet të jetë e bashkuar, e fortë dhe gjithëpërfshirëse."

Bashkimi Evropian tashmë ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë lidhur me aneksimin prej saj të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014. Vitin e kaluar ajo vendosi ndalime udhëtimi dhe bllokim pasurish ndaj gjashtë zyrtarëve rusë të afërt me Putinin për helmimin e Navalnit. Moska ka mohuar përgjegjësinë për sëmundjen e Navalnit dhe thotë se nuk ka parë asnjë provë që të tregojë se ai ka qenë helmuar.

Në vitin 2018, kur një ish agjent rus u helmua në Britani, në atë kohë anëtare e BE-së, bllokut iu desh më shumë se një vit për të vendosur sanksione, të cilat synonin agjentët e inteligjencës ushtarake të nivelit më të ulët sesa udhëheqjen kombëtare të Rusisë. Tani BE-ja është nën presion për të marrë masa më të fuqishme dhe më shpejt.

Dy aleatë të Navalnit, Vladimir Ashurkov dhe Leonid Volkov, u bashkuan të hënën në një thirrje me video drejtuar BE-së dhe të dërguarve nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Ukraina për të propozuar sanksione ndaj figurave të larta në qarqet e biznesit, politikës, gjyqësorit dhe sigurisë, sipas diplomatëve perëndimorë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat