​Merkel përgatit ashpërsimin e kufizimeve

Evropë

​Merkel përgatit ashpërsimin e kufizimeve

Më: 21 mars 2021 Në ora: 18:38
Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po kërkon të zgjasë kufizimet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit deri në muajin prill, raporton AFP, duke cituar një dokument qeveritar.

Për këtë qëllim, shefja e ekzekutivit gjerman përgatitet të takohet të hënën me krerët e landeve, një mbledhje urgjente kjo që vjen në kohën kur vendi po përballet me një hov të ri të pandemisë.

Gjendja po rrëshqet jashtë kontrollit, çka detyron autoritetet gjermane të mendojnë për një ashpërsim të mëtejshëm të masave të izolimit.

Dy ditë më parë, Merkel dhe liderët e landeve ranë dakord që mjekët e familjes të lejohen të administrojnë vaksina kundër koronavirusit pas Pashkëve. Doza shtesë vaksinash do të dërgohen për këtë qëllim në vatrat më të nxehta të sëmundjes në rajonet kufitare të vendit.

“Vaksinim, vaksinim, vaksinim, kjo është motoja e re e jona”, deklaroi Merkel, duke shtuar se objektivi i qeverisë është që duke filluar nga muaji i ardhshëm, imunizimi i popullatës të jetë një proces më i shpejtë dhe më fleksibël.

Merkel la të kuptohet se Gjermania mund të përdorë për këtë qëllim edhe vaksinën ruse Sputnik që pret aprovimin e Agjencisë Evropiane të Barnave. Ajo shtoi se Berlini mund ta porosisë vaksinën ruse edhe nëse Brukseli nuk e bën një gjë të tillë.

“Mendoj se kemi shanse të mira që deri në verë, t’ia ofrojmë vaksinën çdo rezidenti”, tha kancelarja gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat