Problemet e sistemit juridik në Kroaci

Evropë

Problemet e sistemit juridik në Kroaci

Më: 29 mars 2021 Në ora: 09:34
Pallati i Drejtësisë, Zagreb

Sistemi gjyqësor kroat po përjeton me të drejtë kritika të ashpra nga opinioni por edhe ekspertët. Por si mund të reformohen strukturat e ngurta?

Opinioni kroat shumë rrallë është unik si në çeshtjen e reformës juridike. Gati në mënyrë konsensuale thuhet se kjo fushë është e korruptuar dhe jo efikase. Dëshmia më e mirë për këtë është se në tri dekadat e fundit janë dënuar shumë pak njerëz për krime ekonomike. Për shembull, privatizimi në Kroaci është shoqëruar në masë të madhe me dukuri kriminale, e këtë nuk e konteston gati askush. Nuk mund të kujtosh gati asnjë person të nivelit të lartë që është dënuar apo dërguar në burg.

Kjo çështje është riaktualizuar prapë së fundi. Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq dhe kryeministri Andrej Plenkoviq po grinden për mënyrën e zgjedhjes së gjykatësve në Gjykatën Supreme. Milanoviq thotë se gjykatat janë uzurpuar nga partia HDZ.

Ndërsa i dënuari së fundi Zdravko Mamiq thotë se gjykatësit janë të uzurpuar dhe të korruptuar në Kroaci. Ai përmendi edhe emra konkret të gjykatësve.

Problemet etike

Image
Eksperti Alan Uzelac

Profesori Alan Uzelac thotë se autonomia e plotë e drejtësisë nuk do të ishte ndoshta e mirë. Ndarja e pushtetit nuk duhet të mundësojë paralizimin e ndonjërës prej tyre. Më pas ai foli edhe për kohën e pavarësimit të Kroacisë. Ai thotë se në vend të ekspertëve më të mirë, në poste janë emëruar persona të dëgjueshëm. Tani kemi një situatë kur drejtësia ende është nën presionin e politikës. Ka dallime në vendet tona, mendon Uzelac. Në Kroaci sistemi juridik është më shumë i orientuar në të djathtë, ndërsa në Slloveni në të majtën politike. Uzelac mendon se gjykatësit në Kroaci kanë probleme jo vetëm në nivelin e ekspertizës por edhe në fushën etike. „Studentët më të mirë më nuk duan të punojnë në gjykata“. Uzelac mendon se sistemi juridik në Kroaci ka nevojë për hapje dhe debat transparent për gjendjen.

Emërimet e më të mirëve

Të domosdoshme janë emërimet në poste të ekspertëve të njohur dhe bashkëpunimi i strukturave për të gjetur zgjidhjet më të mira. Sistemi juridik duhet të modernizohet dhe të përfshihen më të mirët, mendojnë ekspertët. Për ndryshime është i domosdoshëm edhe vullneti politik i partive, por kjo nuk shihet për momentin. "Elitave politike u duhet një sistem i këtillë juridik, sepse duan të kenë një fajtor kujdestar, për të larguar vëmendjen nga gabimet e veta.“

Image
Profesori i së drejtës juridike, Zoran Buriq

Doktori i shkencave juridike, Zoran Buriq thotë se qytetarët dhe shkencëtarët në Kroaci janë të mendimit se sistemi juridik në këtë vend duhet të jetë më funksional dhe atë në të gjitha fushat e veprimit. "Gabim është, nëse thuhet se i gjithë sistemi juridik në Kroaci është jo efikas. Fakt është që Kroacia është një shtet shumë i sigurt, ndërsa sistemi juridik i kontribuon shumë këtij shteti. Në rastet e krimit klasik ka procese efikase. Por probleme ka tek proceset më të komplikuara - pra në proceset që kanë të bëjnë me krimet e ndërlidhura mes ekonomisë dhe politikës.“

Shkaqet

Shkaqet i gjejmë tek mungesa e zbatimit të ligjeve, sepse ligjet shpesh nuk zbatohen në mënyrë të denjë në praktikë. Edhe Buriq mendon se pavarësia e sistemit gjyqësor ndonjëherë më e komplikuar sesa që mendohet dhe se sistemi juridik në Kroaci është - ndonjëherë tepër i pavarur.

Ai mendon se sistemi juridik duhet të reformohet vet, por për këtë nuk ekziston vullneti i duhur. Nëse kjo nuk funksionon, atëherë duhen krijuar mekanizmat e duhur për veprim dhe forcimin e sistemit juridik, pohon Buriq. Por edhe këtu duhet pasur kujdes, që të mos krijohen mekanizma tepër të fuqishëm, që do të dilnin jashtë kontrollit dhe do të cënonin pavarësinë e sistemit juridik./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat