“Navalny mund të vdesë në çdo moment”

Evropë

“Navalny mund të vdesë në çdo moment”

Më: 17 prill 2021 Në ora: 22:00
Alexei Navalny

Mjeku i të burgosurit të opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili është në javën e tretë të një greve urie, ka thënë se shëndeti i tij po përkeqësohet me shpejtësi dhe kritiku 44-vjeçar i Kremlinit mund të jetë në prag të vdekjes.

Mjeku Yaroslav Ashikhmin ka thënë të shtunën se rezultatet e provave që ai mori nga familja e Navalnyt e tregojnë atë me nivele të ngritura ndjeshëm të kaliumit, i cili mund të sjellë arrest kardiak dhe nivele të rritura të kreatininës që tregojnë veshkat e dëmtuara.

"Pacienti ynë mund të vdesë në çdo moment", ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Rusia e pati dënuar Navalnyn me dy vjet e gjysmë burg, në shkurt të këtij viti. Ai ishte arrestuar në kufi, me t’u kthyer nga Gjermania ku po shërphej pas helmimit me nerv agjent.

Rreth 80 njerëz me ndikim në botë, duke përfshirë këtu aktorë, historianë, gazetarë dhe regjisorë, në mesin e të cilëve edhe shkrimtarët e famshëm JK Rowling dhe Salman Rushdie, i kanë shkruar një letër të hapur presidentit rus Vladimir Putinit të premten, përmes së cilës i kanë kërkuar trajtim urgjent mjekësor për Navalnyn.

Mirëpo, autoritetet ruse kanë thënë se i kanë ofruar atij trajtim mjekësor mirëpo ai e ka refuzuar, duke kërkuar mjekë që do t'i zgjidhte vetë për ta trajtuar atë, kërkesë e cila është refuzuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat