Gjendja e Navalnyt, “e kënaqshme”

Evropë

Gjendja e Navalnyt, “e kënaqshme”

Më: 19 prill 2021 Në ora: 13:00
Udhëheqës i opozitës ruse, Aleksei Navalny.

Shërbimi i burgjeve në Rusi tha se udhëheqësi i opozitës, Aleksei Navalny, do të transferohet në spitalin e një qendre korrektuese, pranë asaj ku ndodhet tani.

“Aktualisht, gjendja shëndetësore e Navalnyt vlerësohet si e kënaqshme. Ai ekzaminohet nga mjeku i përgjithshëm çdo ditë”, tha Shërbimi Federal i Burgjeve të Rusisë për rajonin Vladimir.

Mjekët e Navalnyt kanë paralajmëruar se “ai do të vdesë brenda pak ditëve të ardhshme” nëse nuk i jepet kujdes urgjent mjekësor për dhimbjen akute të shpinës dhe mpirjen e këmbëve.

Sipas tyre, testet e fundit të gjakut tregojnë se Navalny mund të pësojë dështim të veshkave ose sulm në zemër, në çdo moment.

Navalny është futur në grevë urie më 31 mars, pasi nuk i është lejuar të takojë ekipin e tij mjekësor.

Kritiku i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, është burgosur në muajin shkurt, nën disa akuza të vjetra për përvetësim fondesh.

Navalny ka thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Rusinë se do të ketë pasoja, nëse Navalny vdes në burg.

“Rusia do të mbahet përgjegjëse nga bashkësia ndërkombëtare”, tha këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian po ashtu shprehën shqetësime për trajtimin e tij.

“Ne i bëjmë autoritetet ruse përgjegjëse për gjendjen shëndetësore të Navalnyt”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat