Politika çeke, e ndarë ndaj Kremlinit

Evropë

Politika çeke, e ndarë ndaj Kremlinit

Më: 21 prill 2021 Në ora: 19:16
Kryeministri çek, Andrej Babish.

Zbulimi se dy spiunë rusë - të akuzuar për një sulm me agjent nervor në Britani në vitin 2018 - mund të jenë pas shpërthimit vdekjeprurës në një depo armësh në Republikën Çeke, shkaktoi zemërim në këtë vend.

Akuzat e inteligjencës çeke i zhytën marrëdhëniet midis Pragës dhe Moskës në nivelin më të ulët që nga fundi i dominimit sovjetik në Evropën Lindore, më 1989.

Praga dëboi 18 diplomatë rusë, ndërsa Moska, e cila mohon rolin e saj në shpërthim dhe e cilëson si provokim të sajuar nga Uashingtoni, dëboi 20 punonjës të Ambasadës çeke në Moskë.

Image
Diplomatët rusë dhe familjet e tyre duke u larguar nga Praga, 19 prill, 2021.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera shprehën mbështetje për Republikën Çeke, ndërsa dënuan rolin e dyshuar rus.

Sulmi i dyshuar i dy oficerëve të shërbimit rus të inteligjencës, GRU, ndodhi në dhjetor të vitit 2014 në një depo armësh në qytezën Vërbetice. Dy punonjës mbetën të vrarë.

Për shumë në Republikën Çeke, ky sulm ishte akt terrorizmi, nëse jo luftë.

Shumë nga ata që pohojnë kështu, janë kundërshtarë të kryeministrit çek, Andrej Babish, dhe të presidentit Millosh Zeman, njërit prej udhëheqësve më miqësorë ndaj Kremlinit në Bashkimin Evropian.

Babish, bashkë me një zyrtar tjetër të lartë, i bëri akuzat ndaj Rusisë më 17 prill, por, dy ditë më vonë, u shfaq me një ton më të butë.

Babish, i cili është akuzuar për punë me policinë sekrete komuniste në vitet 1980, por është shfajësuar nga gjykata më 2015, tha se bëhet fjalë për një “operacion të papranueshëm” të agjentëve rusë, i cili shkoi keq.

“Rusia nuk sulmoi Republikën Çeke. Agjentët sulmuan mallrat e një tregtari bullgar të armëve, i cili me siguri u shiste ato armë palëve që luftojnë Rusinë”, tha Babish në një konferencë për media më 19 prill.

“Sigurisht se është e papranueshme që agjentët e GRU-së ndërmorën operacionin këtu”, shtoi ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm çek, Jan Hamaçek, konfirmoi më 19 prill se tregtari ishte Emilian Gebrev, pronar i një fabrike armësh, që i mbijetoi një përpjekjeje për ta helmuar, në vitin 2015.

Prokurorët bullgarë, vitin e kaluar, akuzuan në mungesë tre rusë për tentim-vrasjen e tij.

Kompania e Gebrevit, EMCO, mohoi më 19 prill se ka bërë ose planifikuar ndonjë dërgesë nga depoja çeke, në muajt para shpërthimit ose për së paku një vit pas shpërthimit.

Praga tha fillimisht se shpërthimi në depo u shkaktua nga agjentët e njëjtë të GRU-së që fajësohen për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe të vajzës së tij, Yulia, në Britani, në vitin 2018.

Të dy ata i mbijetuan sulmit, ndërsa Moska e mohon përfshirjen.

Minimizimi i dukshëm i shpërthimit në depo nga ana e Babishit zhgënjeu shumë politikanë çekë dhe shkaktoi reagime tallëse në mediat sociale.

“Ajo që thotë kryeministri Babish, është e pakuptimtë. Një veprim që rezulton me vdekje, është një akt terrorizmi, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe rregullin e marrëdhënieve dypalëshe në shekullin 21”, tha për mediat çeke Pavel Zaçek, anëtar i partisë opozitare çeke ODS.

I përballur me kritika, Babish, një ditë më vonë, tha në mënyrë specifike se shpërthimi ishte “një akt terrorist i urryer dhe plotësisht i papranueshëm”.

Zeman, i cili ka më pak pushtet se kryeministri, u kritikua jo për atë që ka thënë, por për refuzimin e tij që të flasë publikisht për këtë çështje.

Ai tha se do të flasë më 25 prill në një program televiziv.

Zeman rrallë ngurron të ndajë pikëpamjet e tij - shpesh me gjuhë të mprehtë - për çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme. Në mes të tjerave, ai ka kritikuar sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë dhe ka fyer gazetarët.

Shkronja të mëdha blu që lexonin “tradhti e lartë” u vendosën mbrëmjen e 19 prillit në Kështjellën e Pragës, ku ndodhet rezidenca zyrtare e presidentit çek.

("Velezrada" - tradhti e lartë)

Mesazhi u dërgua nga një grup që e quan veten “Stop Tradhtisë së Lartë”. Përmes një deklarate, grupi tha se dëshiron që Zeman të sillet para gjykatës më të lartë të vendit, për t'u përballur me akuzat për tradhti.

Një ditë pas, zëdhënësi i Zemanit sulmoi opozitën.

“Vota për opozitën është votë për luftën. Mos e harroni këtë kur të shkoni në votime”, shkroi Jirzhi Ovçaçek në një postim në Twitter.

Gjetjet për shpërthimin në Vërbetice nga Shërbimi i Inteligjencës në Çeki - BIS dhe nga Qendra Kombëtare për Luftimin e Krimit të Organizuar - NUKIB vijnë në kohën kur Zeman dhe mbështetësit e tij po bëjnë përpjekje të sigurojnë vaksinën ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.

Zeman dhe aleatët e tij po ashtu po përpiqen të sigurojnë mbështetje për gjigantin rus të energjisë bërthamore Rosatom, i cili synon të ndërtojë një termocentral bërthamor në Dukovani të Çekisë.

Ministri i Shëndetësisë i Çekisë, Jan Blatni, u shkarkua nga Babishi më 7 prill, një muaj pasi Zeman kërkoi shkarkimin, për shkak të refuzimit të Blatnit për të përdorur vaksinën ruse pa u miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave. Qeveria e Babishit varet nga aleatët politikë të Zemanit.

Më 12 prill, Zeman shkarkoi edhe ministrin e Jashtëm çek, Tomash Petriçek, pjesërisht për shkak të qëndrimit të tij kundër vaksinës Sputnik V.

Image
Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, gjatë një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë.

Petriçek ishte përplasur me rivalin e tij, Hamaçek, për kontrollin e Partisë Social-Demokrate të Çekisë.

Petriçek gjithashtu kishte sugjeruar që partia duhet t’i ndërpresë lidhjet e saj me partinë populiste ANO të Babishit.

Ai kishte kundërshtuar edhe përpjekjet e Zemanit dhe të mbështetësve të tij për ta futur Rosatom-in në kontratën e termocentralit bërthamor në Dukovani.

Në kohën e shkarkimit të tij, Petriçek tha se “zyra e ministrit ka dritare nga Lindja”.

“Ndonjëherë kur sfidoni fizikën dhe forcat e tjera, ju mund të shikoni plotësisht, qetësisht dhe me guxim drejt Perëndimit dhe Evropës”, tha Petriçek.

“Nuk është sekret që unë nuk jam vlerësuar mirë nga Presidenca e Pragës për disa kohë”, u tha Petriçek gazetarëve.

Zeman e ka karakterizuar BIS-in si një bandë të “të paaftësh”. Ai ka thënë se nuk do të rekomandojë që udhëheqësit të BIS-it, Michal Koudelka, t'i jepet edhe një mandat tjetër, kur mandati aktual t’i mbarojë këtë verë.

Me Petriçekun jashtë, Hamaçek, i cili mban edhe postin e ministrit të Brendshëm të Çekisë, raportohet se ka planifikuar të udhëtojë në Moskë më 19 prill, për të negociuar dërgesat e vaksinës Sputnik V.

Këto plane u prishën pasi ai dhe Babish njoftuan më 17 prill për gjetjet e BIS-it dhe NUKIB-it rreth shpërthimit në Vërbetice, më 2014.

Më 19 prill, edhe ministri i Industrisë i Çekisë, Karel Havliçek, njoftoi se Rosatom-i rus nuk do të marrë pjesë në vlerësimet e sigurisë për termocentralin në Dokovani./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat