Italia do të vendosë kufizime

Evropë

Italia do të vendosë kufizime

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 16:20
Ilustrim

Personat që nuk janë vaksinuar do të përballen me kufizime në Itali. Qeveria do t’u ndalojë atyre hyrjen në restorante, klube të natës, palestra dhe stadiume sportive.

Gjithashtu po shqyrton kufizimin në qasje në trena dhe udhëtimet ajrore brenda vendit. Për të mundësuar qasjen në këto vende dhe shërbime publike, qytetarët do të duhet të tregojnë “pasaportën shëndetësore të imunitetit”, që vërteton vaksinimin ndaj Covid-19 ose rezultatin negativ të një testi. Banorët e Romës janë të ndarë lidhur me aplikimin e kësaj mase.

“Nuk e shoh të nevojshme aplikimin e “green pass-it”. Mendoj se ata që duhej të vaksinoheshin janë vaksinuar dhe në këtë pikë të kërkohet një pasaportë imuniteti për të ngrënë në një restorant me duket e ekzagjeruar”, u shpreh Federica Grimoldi, banore e Romës.

“Aplikimi i green pass në restorante më duket e tepruar, ndërsa në vendet e tjera e shoh të nevojshme”, tha Massimo Prota, banor i Romës.

“E mbështes shumë pasaportën e imunitetit, shpresoj të bëhet me detyrim”, tha një tjetër banore e Romës. Pronarët e restoranteve e shohin me skepticizëm këtë vendim.

“Kemi mbërritur në një fund pa krye, pasi qeveria po detyron njerëzit të marrin vaksinën edhe kur nuk duan. Si është e mundur kjo?”, u shpreh pronarja e një restoranti.

Rritja e rasteve të reja me Covid-19, për shkak të variantit delta që përhapet më shpejt, po i jep një shtysë tjetër programit të vaksinimit në Itali. Qeveria kërkon që me çdo kusht të imunizojë sa më shumë persona, teksa thuajse 40 për qind e të rriturve ende nuk kanë marrë një dozë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat