Liderët e Gjermanisë bëhen bashkë për të përkujtuar 180 viktimat e përmbytjeve

Evropë

Liderët e Gjermanisë bëhen bashkë për të përkujtuar 180 viktimat e përmbytjeve

Më: 28 gusht 2021 Në ora: 17:36
Angela Merkel

Më shumë se një muaj pas përmbytjeve ekstreme që lanë 180 persona të vdekur në Gjermaninë perëndimore, të mbijetuarit, ekipet e shpëtimit dhe kërkimit, udhëheqësit fetarë dhe liderët shtetëror u mblodhën këtë të shtunë për të kujtuar të gjithë të vdekurit.

Kancelarja Angela Merkel, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe Presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble, morën pjesë në një ceremoni në katedralen në qytetin Aachen, së bashku me banorët e rajoneve të shkatërruara nga përmbytjet e 14 dhe 15 korrikut.

“Sot, ne mendojmë për njerëzit nga të cilët përmbytja mori gjithçka: shtëpitë e tyre, gjërat e tyre, kujtimet e tyre, ëndrrat e tyre të jetës”.

“Ne, i gjithë vendi, jemi pranë jush. Ne, i gjithë vendi, mbajmë zi me ju sot”, tha Steinmeier.

Të mbijetuarit dhe punonjësit e urgjencës gjithashtu folën në këtë ngjarje. Renate Steffes, një banore e Bad Neuenahr-Ahrweiler, tha se është e tronditur nga përvoja e tmerrshme e përmbytjeve.

“Nuk ka fjalë që mund të fillojnë të përshkruajnë se si ndiheshin për mua ngjarjet e natës së 14-15 korrikut,” tha ajo.

‘Një shkëlqim shprese’

Folësit në ceremoni theksuan rëndësinë e njohjes dhe kujtimit të humbjeve për të ecur përpara, duke vënë në dukje se do të duhej kohë për t’u rindërtuar dhe shëruar.

Peshkopi katolik Georg Bätzing, kryetar i Konferencës së Peshkopëve gjermanë, tha se ai sheh “një shkëlqim shprese” tek njerëzit e panumërt që ofruan ndihmë vetëmohuese për komunitetet dhe individët e prekur.

“Duhet kohë që përvojat të zbehen, që humbjet dhe dëmtimet të trajtohen,” tha ai. “Vajtimi për ata që humbëm kërkon kohë dhe kërkon një forcë të jashtëzakonshme për t’u rindërtuar dhe për të filluar përsëri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat