Polonia miraton ligj për dëbimin e migrantëve

Evropë

Polonia miraton ligj për dëbimin e migrantëve

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 10:05
Migrantë në kufirin Poloni-Bjellorusi

Parlamenti i Polonisë miratoi një ligj që i lejon rojet kufitare t’i dëbojnë menjëherë migrantët që kalojnë ilegalisht kufirin.

Rojet gjithashtu do të kenë fuqi t’i refuzojnë kërkesat për azil ndërkombëtar, pa u shqyrtuar.

Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë, Alexander Lukashenka, për dërgimin e mijëra migrantëve në kufijtë e BE-së.

Bashkimi Evropian thotë se ai po përpiqet t’i destabilizojë shtetet anëtare, për t’u hakmarrë kundër sanksioneve që i ka vënë blloku.

Megjithatë, sipas ligjit ndërkombëtar, kushdo që kërkon mbrojtje ndërkombëtare, duhet të ketë qasje në procesin e azilit, edhe nëse e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Edhe pse është e ndaluar të dërgohen njerëzit atje ku mirëqenia e tyre mund të jetë në rrezik, grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Poloninë për kthimin e migrantëve tash e sa muaj.

Së paku gjashtë viktima janë gjetur pranë kufirit. Migrantët dyshohet se kanë vdekur si pasojë e të ftohtit.

Ligji i ri i miratuar në Parlamentin polak duhet të nënshkruhet tani nga presidenti Andrzej Duda./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat