Mungesa e gazit: Çfarë po e shkakton krizën energjetike të Evropës?

Evropë

Mungesa e gazit: Çfarë po e shkakton krizën energjetike të Evropës?

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Pavarësisht nëse jetoni në Evropën kontinentale apo Britaninë e Madhe, gazi natyror që po ngroh shtëpinë tuaj këtë tetor po kushton të paktën 5 herë më shumë se sa një vit më parë. Arsyet janë të ndryshme:midis tyre situata energjitike në Holandë, përpjekja e Kinës për të pastruar ajrin e saj, dhe politikat e presidentit rus Vladimir Putin.

Por ndikimi është i qartë. Çmimet rekord që po paguhen nga furnizuesit në Evropë, dhe mungesat në furnizimin me gaz në të gjithë kontinentin, kanë ngjallur frikën e një krize energjetike, në rast se moti do të jetë edhe më i ftohtë sesa normalja e stinës së dimrit.

Tashmë familjet po përballen me fatura më të fryra, ndërsa disa industri që kërkojnë shumë energji, kanë filluar ta ngadalësojnë prodhimin, duke dëmtuar optimizmin rreth rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike.

Dhe ndërsa disa ekspertë në industrinë e gazit besojnë se rritja e çmimit është një dukuri e përkohshme, e shkaktuar nga zhvendosjet ekonomike për shkak të koronavirusit, shumë të tjerë besojnë se ajo po nxjerr në pah një dobësi strukturore të një kontinenti, i cili është bërë shumë i varur nga gazi i importuar.

“Në përgjithësi Evropa ka dy mundësi për furnizime shtesë të gazit, pasi varet shumë nga importet:nga Rusia ai nga furnizimet me gaz të lëngshëm natyror”-thotë Tom Marzec-Manser nga  ICIS, një kompani konsulente. “Asnjë nga ato burime nuk ka funksionuar siç mund të shpresonte Evropa gjatë kësaj krize”- shton ai.

Kalimi tek energjitë më të pastra si era dhe dielli, ka pasur efektin e rritjes së kërkesës për gazin, një produkt që është cilësuar shpesh nga industria si një “urë lidhëse” afatmesme midis epokës së hidrokarbureve dhe asaj të burimeve të rinovueshme.

Por objektivi afatgjatë i krijimit të ekonomive me zero emetime të karbonit në atmosferë në Britani dhe Evropë, e ka zbehur gatishmërinë e investitorëve për të investuar në zhvillimin e linjave të furnizime me lëndë djegëse fosile,të cilat ata besojnë se mund të jetë vjetruar pas 30 vjetësh.

Ndërkohë, furnizimet e brendshme të Evropës me gaz, të ulëta pas dekadave të zhvillimit të shpejtë, kanë rënë me 30 për qind në dekadën e fundit. Përpjekjet e Evropës për të qenë një udhëheqëse globale në luftën kundër ndryshimit të klimës, kanë ndikuar tek ndryshimet më të gjera në treg.

Ato i kanë nxitur ekonomitë e Azisë me rritje të shpejtë, të heqin dorë nga qymyri. Ndaj sot vende si Kina dhe India, janë rivale për të njëjtat furnizime me gaz të lëngshëm (LNG), teksa vetë Evropa mbështetet tek vende si SHBA dhe Katari. Deri vonë industria e gazit funksiononte gati tërësisht përmes tubacioneve tradicionale, të cilat e mbanin nën kontroll konkurrencën.

Rritja e shpejtë e industrisë së LNG,nënkupton se furnizimet me gazin e lëngshëm,kanë krijuar diçka më të ngjashme me një treg global të ngjashëm me naftën. “Çdo vit Kina lidh deri në 15 milion shtëpi në qytetet e saj bregdetare me rrjetin e gazit të lëngshëm. Pra kjo është si të shtosh çdo vit një kërkesë në madhësinë e popullatave të Holandës dhe Belgjikës”- thotë Henning Gloystein nga Eurasia Group.

“Pra kur bëhet ftohtë në Kinë, çmimi i gazit rritet edhe në Britani dhe Gjermani”- thekson ai.

Qeveritë evropiane, thonë se çmimet “e paqëndrueshme” të gazit, përforcojnë nevojën për të përshpejtuar hapat drejt energjisë së rinovueshme. Por ka shqetësime serioze se problemet mund të shkaktojnë një reagim kundër burimeve të rinovueshme,sidomos nëse konsumatorët nisin të besojnë se çmimi gjatë tranzicionit energjik, do të jetë shumë i lartë.

“Disa po përpiqen ta portretizojnë këtë si krizën e parë të tranzicionit të energjisë. Ata e kanë gabim. Por nëse kjo qasje bëhet dominuese, mund të shndërrohet nënjë pengesë për politikat që duhet të miratojmë për ta arritur tranzicionin energjetik”- thotë Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, që këshillon qeveritë dhe që financohet kryesisht nga vendet e OECD.

Konsumi i naftës në botë mbetet relativisht i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, me luhatje të vogla midis stinëve. Ndërkohë kërkesa për gaz, është shumë më e madhe çdo dimër që vjen, për shkak të rolit të saj në ngrohjen e shtëpive. Rreth 40 për qind e konsumit të përgjithshëm të gazit në Britani shkon direkt në ngrohjen e shtëpive, kryesisht për një periudhë 5-6 mujore.

Industria i menaxhon këto cikle në mënyra të ndryshme.

Kryesorja është ruajtja, pra pompimi i gazit nën tokë gjatë muajve të verës kur ka një kërkesë të ulët, dhe që pastaj mund të përdoret kur ftohet koha. Tjetra është qasja në furnizimet e luhatshme,që mund të rriten ose zvogëlohen sipas nevojës.

Por një nga problemet e mëdha me të cilat përballet Britania e Madhe dhe Evropa, është se burimet kryesore të këtyre furnizimeve nuk po funksionojnë si dikur, gjë që krijon kushtet për çmime më të paqëndrueshme të çmimit gazit. Fusha më e madhe e gazit në Evropë, ajo e Groningenit në Holandë, ishte projektuar të ishte një furnizuese e rëndësishme.

Por tani Groningeni është shndërruar në një barrë për qeverinë holandeze. Ndërsa rezervat e tij të mëdha u zvogëluan gradualisht, tërmete të vegjël u shkaktuan në zonën përreth, duke shkaktuar dëme në shtëpi dhe biznese. Ndërsa presioni politik u rrit, u mor vendimi për të nisur mbylljen e tij.

Ndaj sot fusha gazmbajtëse, nxjerr më 75 për qind më pak gaz sesa në vitin 2018. Britania e Madhe përballet me një problem të ngjashëm. Ajo ka kapacitete shumë më të vogla të magazinimit sesa shumica e vendeve në Evropë. Situata është përkeqësuar më tej pas mbylljes së depozitave të gazit në Roug, në brigjet lindore të Anglisë, 3 vjet më parë.

Ai vendim reduktoi nga 15 në 5 ditë kapacitetin e magazinimit të Britanisë së Madhe.

Lajmi i mirë për Evropën, është se ajo ka më shumë kapacitet të importit të gazit të lëngshëm se sa çdo rajon tjetër. Por lajmi i keq, është se kërkesa aziatike për gaz është rritur kaq shpejt – me 50 për qind gjatë dekadës së fundit, e udhëhequr nga një 3-fishim i konsumit në Kinë – saqë që ngarkesat me LNG janë bërë shumë më të vështira për t’u siguruar në vitin 2021.

Por faktori mbase më i rëndësishëm në të gjithë këtë krizë është Rusia. Evropa kontinentale merr më shumë se 1/3 e furnizimeve totale të saj me gaz nga “Gazprom”, kompania shtetërore ruse. Kjo është një marrëdhënie, e cila është zhvilluar gjatë dekadave.

Por kohët e fundit është dëmtuar jo pak nga pasojat e aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014. Në fillim Brukseli ushtroi presion që Rusia të hiqte dorë nga kontratat afatgjata të lidhura me çmimet e naftës, një veprim që krijoi indirekt një sistem çmimesh që ishte më reflektues i dinamikës së tregut të gazit.

Megjithatë, besueshmëria e “Gazprom” është vënë në pikëpyetje këtë vit. Një dimër i gjatë i viteve 2020-2021, nënkupton se depozitat e gazit si në Rusi ashtu edhe në Evropën kontinentale janë në nivele të ulëta. Dhe “Gazprom” ka bërë pak për ta ndihmuar Evropën të furnizohet me gaz, duke refuzuar të dërgojë furnizime shtesë përmes Ukrainës, përtej asaj që ishte siguruar me kontratat afatgjata.

Ukraina dhe vendet e tjera në Evropën Lindore, e kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet t’i përdorë si një armë furnizimet me gaz, pjesërisht për t’i bërë presion Berlinit të shpejtojë me miratimin e gazsjellësit të diskutueshëm “Nord Stream 2”, që do të anashkalojë Ukrainën për të dërguar furnizimet me gaz direkt në Gjermani përmes Detit Baltik.

Evropa mund të përballet në të ardhmen më një konkurrencë më të madhe për furnizimet me gaz. Rusia nisi ta furnizojë Kinën me gaz përmes gazsjellësit “Power of Siberia” 2 vjet më parë. Tani “Gazprom” po studion ndërtimin e “Power of Siberia 2”, që do të lidhë fushat në Siberinë Perëndimore me Kinën deri në vitin 2030.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat