Sa vende të bllokut evropian udhëhiqen prej femrave

Evropë

Sa vende të bllokut evropian udhëhiqen prej femrave

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 06:49
Angela Merkel

Magdalena Andersson është bërë kryeministrja e parë grua e Suedisë, por që pas disa orëve dha dorëheqje pasi një parti e koalicionit qeverisë u largua duke mos e mbështetur miratimin e buxhetit për vitin 2022.

Por ajo është në mesin e pakicës – do të thotë se janë vetëm pesë gra të tjera që udhëheqin vendet e tyre dhe janë anëtare të Bashkimit Evropian – Sanna Marin e Finlandës; Kaja Kallas e Estonisë; Ingrida Simonyte e Lituanisë; Mette Frederiksen e Danimarkës dhe Angela Merkel e Gjermanisë.

Kjo e fundit po vepron si “kujdestare” pasi që ka paralajmëruar largimin nga politika aktive në momentin që krijohet qeveria e re gjermane. Ajo ishte bërë për herë të parë kancelare e Gjermanisë në vitin 2005.

Politikania 67-vjeçare, liderja grua më jetëgjatë në Evropë, do të zëvendësohet nga Olaf Scholz në fillim të muajit dhjetor.

Për të shënuar ngjitjen e Andersson në pushtet, më poshtë është një vështrim i grave në pozitat e pushtetit politik në të gjithë Evropën.

Këta konsiderohen liderët që kanë fuqinë më të madhe ekzekutive – qoftë me titullin President apo Kryeministër – dhe që marrin pjesë në Këshillin e liderëve të Bashkimit Evropian.

Përtej BE-së, gratë zënë postin kryesor në katër vende të tjera në Evropë. Bëhet fjalë për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministren islandeze, Katrin Jakobsdottir, kryeministren e Moldavisë, Natalia Gavrilita dhe kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Komisioni Evropian drejtohet gjithashtu nga një grua, presidentja Ursula von der Leyen.

Euronews ka përzgjedhur vetëm lideret gra që kanë qenë më të fuqishmet nga dy rolet drejtuese të vendit.

Shpesh ky është kryeministri, por ndonjëherë, si në Francë dhe Ukrainë, është presidenti.

Ne kemi përjashtuar gjithashtu vendet që aktualisht kanë një udhëheqëse grua.

Liderja e dytë grua me jetëgjatësinë më të madhe në postet udhëheqëse shtetërore pas Merkelit është Margaret Thatcher e Britanisë së Madhe, e cila ishte në pushtet për gati 11 vjet midis 1979 dhe 1990.

Ndërkohë, Vassiliki Thanou kishte mandatin më të shkurtër me vetëm 25 ditë si kryeministre e përkohshme e Greqisë midis gushtit dhe shtatorit të vitit 2015. Por, Andersson do të hyjë në analet e historisë si gruaja që për afro tetë orë udhëhoqi shtetin e saj, Suedinë.

Gratë në parlament

Në 27 shtetet anëtare të BE-së, mesatarisht 32.7 për qind e vendeve të parlamenteve janë të zëna nga gratë – pra as një e treta.

Nuk ka asnjë vend të vetëm ku gratë përbëjnë shumicën e ligjvënësve, megjithëse Suedia i afrohet barazisë me 49.6 për qind të parlamentit të saj të mbushur me gra.

Fqinjët e saj nordikë, Finlanda dhe Norvegjia, janë gjithashtu ndër vendet ku gratë përbëjnë më shumë se 40 për qind të deputetëve.

Gratë përbëjnë gjithashtu 40.4 për qind të vendeve edhe në parlamentin e Bashkimit Evropian.

Lihtenshtajni ka përqindjen më të ulët të deputeteve femra me vetëm 12 për qind ndërsa Hungaria dhe Malta kanë më pak se 15 për qind të vendeve të tyre parlamentare të mbushura nga gra.

Gratë që mbajnë poste ministrore

Ndryshe nga parlamentet, gratë përbënin shumicën e katër qeverive të BE-së në vitin 2020, sipas Eurostat.

Këto janë Finlanda dhe Suedia me 54.5 për qind dhe 52.2 për qind të posteve përkatëse ministrore të mbajtura nga gratë, si dhe Franca dhe Belgjika fqinje me 51.2 për qind dhe 50.0 për qind.

Mesatarisht, gratë zinin nën një të tretën e posteve ministrore në të gjithë bllokun.

Malta kishte numrin më të vogël të grave në qeverinë e saj që përbënin vetëm 7.7 për qind.

Greqia dhe Estonia plotësuan treshen e fundit me vetëm 11.3 për qind, gjegjësisht 13.3 për qind të ministrave gra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat