Laboratori në Britani fillon studimin e variantit të ri Omicron

Evropë

Laboratori në Britani fillon studimin e variantit të ri Omicron

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 16:13
Në Qendrën për Studimin e Viruseve të Këshillit për Kërkimet Mjekësore (MRC), në Glasgou të Britanisë

Një laborator në Britani është ndër të paktët që ka paisjet e duhura për të studiuar pathogjenët si varianti Omicron i koronavirusit. Shkencëtarët atje kanë filluar tashmë testimin për të mësuar më shumë rreth këtij varianti të ri dhe rreth efektshmërisë së vaksinave ndaj tij.

Qendra për Studimin e Viruseve në Glasgou të Anglisë ka filluar të bëjë testime për variantin Omicron të koronavirusit.

Deri më tani ka patur 42 raste të konfirmuara të këtij varianti në Britani, megjithëse nuk dihet ende se sa problematik do të jetë ai.

"Nuk dimë ende se çfarë kuptimi kanë ndryshimet e shumta që shohim tek varianti i ri. Por do të jemi në gjendje tashmë ta testojmë në laborator", thotë Emma Thomson, profesore në Qendrën për Studimin e Viruseve të Këshillit për Kërkimet Mjekësore (MRC).

Laboratori i izoluar në Qendrën për Studimin e Viruseve është ndër të paktët laboratorë në Britani që është i pajisur për të trajtuar një pathogjen si varianti Omicron.

Kryerja e eksperimenteve me variantin Omicron është thelbësore.

"Mund të fillojmë që tani ta kultivojmë virusin në mënyrë që të mund të zhvillojmë eksperimente në të ardhmen. Na duhen të dhëna shkencore përpara se të pretendojmë se kemi njohuri për mënyrën se si sillet ky variant i ri", thotë Wilhelm Furnon, ndihmës shkencëtar në Qendrën për Studimin e Viruseve.

"Më urgjente është të mësojmë se në ç'nivel mundet varianti Omicron t'i shpëtojë imunitetit të krijuar nga vaksinat", thotë Massimo Palmarini, drejtor i qendrës.

Shkencëtarët do të krahasojnë gjithashtu variantin Omicron me variantin Delta për të parë se sa janë në gjendje antitrupat e njerëzve të vaksinuar që ta shkatërrojnë virusin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat