Austri: Partia në pushtet emëron kandidatin e ri për kancelar

Evropë

Austri: Partia në pushtet emëron kandidatin e ri për kancelar

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 19:11
Karl Nehammer, kandidati i ri për kancelar të Austrisë

Partia në pushtet e Austrisë emëroi të premten Ministrin e Brendshëm Karl Nehammer për të udhëhequr kampin konservator dhe vendin pasi dorëheqja befasuese e ish-kancelarit Sebastian Kurz nga drejtimi i partisë e thelloi më tej kaosin politik.

"Sot u emërova njëzëri nga udhëheqja e Partisë Popullore për postin e kreut të partisë dhe në të njëjtën kohë si kandidat për kancelar," u tha zoti Nehammer gazetarëve.

Takimi i drejtuesve të lartë të partisë erdhi një ditë pasi zoti Kurz, i implikuar në një skandal korrupsioni, tha se po jepte dorëheqjen si kryetar i partisë.

Alexander Schallenberg, i cili mori postin e kancelarit në tetor, tha të enjten se ishte gati të jepte dorëheqjen pasi "postet e kancelarit dhe kreut të partisë duhet të merren me shpejtësi nga i njëjti person".

Tani presidenti i Austrisë duhet të pranojë kandidaturën e zotit Nehammer i cili më pas duhet të bëjë betimin para tij, por këto janë përgjithësisht formalitete.

Njoftimi i zotit Kurz se do të largohej nga politika për t'i kushtuar kohë familjes dhe djalit të porsalindur, erdhi vetëm dy muaj pasi ai dha dorëheqjen si udhëheqës i vendit.

Vendimet pasuan implikimin e tij në një skandal korrupsioni, që i dhanë fund një karriere me një rritje marramendëse. Ai u bë ndër krerët më të rinj në botë të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 2017, kur ishte vetëm 31 vjeç.

Skandali për korrupsion shpërtheu në fillim të tetorit kur prokurorët urdhëruan bastisje në zyrën e kancelarit dhe në ministrinë e financave.

Ata po hetojnë akuzat sipas së cilave rrethi i brendshëm i zotit Kurz kishte përdorur para publike për të paguar për sondazhe të organizuara për të përmirësuar imazhin e tij dhe për të siguruar pasqyrim pozitiv në një nga gazetat më të mëdha të vendit.

Zoti Kurz ka mohuar çdo keqbërje dhe ka thënë se shpreson të provojë pafajësinë në gjykatë.

35 vjeçari, mori kontrollin e Partisë Popullore në vitin 2017 dhe me qëndrimin e tij të ashpër ndaj imigracionit e udhëhoqi atë dy herë në fitore në zgjedhje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat